Të fundit

SHBA-ja publikon marrëveshjen zyrtare me Iranin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë nënshkruar elektronikisht një memorandum mirëkuptimi që parashikon përfundimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Marrëveshja tashmë ka hyrë në fuqi.

Sipas burimeve nga administrata amerikane, dokumentin e ka nënshkruar personalisht presidenti amerikan, Donald Trump, shkruan cnn.

Nënshkrimi fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej të premten në Zvicër, por burime diplomatike bëjnë të ditur se gjatë ditëve të fundit është diskutuar mundësia e përshpejtimit të procesit dhe hyrjes më të hershme të marrëveshjes në fuqi.

Një diplomat nga një vend ndërmjetësues deklaroi se arsyeja kryesore për përshpejtimin ishte rihapja sa më shpejt e Ngushticës së Hormuzit, për të cilën të dyja palët kishin arritur tashmë dakordësi.

Burime të tjera thonë se një faktor shtesë ishte edhe presioni në rritje politik ndaj Shtëpisë së Bardhë për të bërë publik përmbajtjen e memorandumit.

Megjithatë, një burim i afërt me negociatat pretendon se ishte pikërisht Irani ai që këmbënguli që teksti i marrëveshjes të mos publikohej para nënshkrimit zyrtar, duke hedhur poshtë pretendimet se Uashingtoni ishte tërhequr për shkak të presioneve politike.

Pas disa ditësh spekulimesh dhe paqartësish rreth përmbajtjes së marrëveshjes, një zyrtar i lartë i administratës amerikane ua lexoi gazetarëve të mërkurën të gjithë tekstin e memorandumit gjatë një konferencë telefonike.

Dokumenti parashikon:

1. Përfundimin e luftës dhe operacioneve ushtarake

SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre shpallin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Palët zotohen të mos ndërmarrin më veprime armiqësore dhe të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendeve.

2. Respektimi i sovranitetit

Të dyja palët angazhohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme.

3. Negociata për një marrëveshje përfundimtare

SHBA-ja dhe Irani do të zhvillojnë negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda një periudhe maksimale prej 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me marrëveshje të përbashkët.

4. Heqja e bllokadës amerikane ndaj Iranit

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, SHBA-ja do të nisë heqjen e bllokadës detare ndaj Iranit dhe pengesave ndaj transportit. Procesi i plotë parashikohet të përfundojë brenda 30 ditësh.

5. Rihapja e ngushticës së Hormuzit

Irani do të mundësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare për 60 ditë pa pagesa shtesë nga Gjiri Persik drejt Detit të Omanit dhe anasjelltas. Më pas do të zhvillohen bisedime për administrimin afatgjatë të kësaj rruge strategjike.

6. Plani ekonomik për Iranin

SHBA-ja dhe partnerët e saj rajonalë do të hartojnë një plan për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë.

7. Çështja bërthamore

Palët do të negociojnë çështjen e pasurimit të uraniumit dhe programit bërthamor të Iranit. Marrëveshja përfundimtare do të përcaktojë kushtet për këtë çështje.

8. Mosprodhimi i armëve bërthamore

Irani përsërit angazhimin se nuk do të zhvillojë apo sigurojë armë bërthamore.

9. Ruajtja e status quo-së gjatë negociatave

Deri në arritjen e marrëveshjes finale, Irani do të ruajë gjendjen aktuale të programit të tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja dhe nuk do të dërgojë forca shtesë në rajon.

10. Lehtësime për eksportet iraniane të naftës

SHBA-ja do të japë përjashtime që lejojnë eksportin e naftës iraniane, produkteve të naftës dhe shërbimeve të lidhura, përfshirë bankat, sigurimet dhe transportin.

11. Zhbllokimi i fondeve iraniane

Fondet iraniane të ngrira do të bëhen të disponueshme pas zbatimit të kushteve të marrëveshjes dhe sipas procedurave të dakorduara nga të dyja palët.

12. Mekanizëm monitorimi

Do të krijohet një mekanizëm për të mbikëqyrur zbatimin e memorandumit dhe respektimin e marrëveshjes finale.

13. Fillimi i negociatave për marrëveshjen finale

Pas nisjes së zbatimit të disa pikave kryesore, SHBA-ja dhe Irani do të fillojnë negociatat për pjesët e tjera të marrëveshjes.

14. Miratimi ndërkombëtar

Marrëveshja finale do të kërkojë miratim përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

CNN thekson se zyrtarë amerikanë e kanë përshkruar tekstin si një dokument politik me formulime të përgjithshme, që synon të krijojë terrenin për negociata më të detajuara teknike. /Telegrafi/

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci