Rrezarta Krasniqi nga LDK, ka reaguar ndaj gjendjes së brendshme në Lidhja Demokratike e Kosovës, duke vlerësuar se partia ka nevojë për ndryshime të thella dhe rikthim të fokusit te strukturat dhe aktivistët.
Në reagimin e saj, Krasniqi thekson se LDK-ja është më e madhe se çdo interes personal dhe se rezultatet politike duhet të maten me votë, e jo me spektakël, fotografi apo duartrokitje. Ajo kritikon pritjet e krijuara rreth të ashtuquajturit “bashkim i madh”, duke thënë se në terren janë krijuar ndarje dhe janë anashkaluar aktivistë që, sipas saj, e kanë mbajtur partinë në periudhat më të vështira.
“Kur pritjet ndërtohen mbi spektakël e jo mbi organizim, rezultati e jep verdiktin pa emocione e pa arsyetime. Nga 13 në 16, dobët, shumë dobët”, shkruan Krasniqi, duke iu referuar rezultateve zgjedhore të partisë.
Ajo vlerëson se bilanci i LDK-së pas zgjedhjeve mbetet i kufizuar, me pak vota më shumë në nivel vendi dhe rënie në disa bastione tradicionale. Sipas saj, kur vota nuk e konfirmon premtimin, atëherë duhet të ketë përgjegjësi politike.
Në postimin e saj, deputetja kërkon që procesi i reformimit të nisë nga lidershipi, duke theksuar se “reforma nuk fillon nga poshtë, por nga lart”. Ajo kritikon gjithashtu, siç shprehet, mungesën e qartësisë identitare dhe qasjen që favorizon imazhin e bashkimit më shumë sesa besimin e strukturave partiake.
Në fund, Krasniqi bën thirrje për ndryshime rrënjësore brenda LDK-së dhe për një bashkim rreth vizionit politik, e jo interesave personale, duke shtuar se vetëm një LDK e fortë mund t’i ofrojë Kosovës stabilitet dhe një të ardhme të sigurt.
