Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit e kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi si marrëveshje fillestare për paqe, me synim për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit më 17 qershor gjatë një darke nën dritën e qirinjve në Pallatin e Versajës, pas samitit të G7.
Memorandumi hyn në fuqi menjëherë.
Një video e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti francez Emmanuel Macron në platformën X shfaq Trumpin duke e nënshkruar dokumentin.
“Kjo nuk ishte e lehtë”, tha Trump teksa nënshkruante marrëveshjen, derisa Macroni, si mikpritës i ngjarjes, dhe të ftuarit e tjerë, duartrokisnin.
🚨 President Donald J. Trump has SIGNED the Iran Memorandum of Understanding at Versailles in France. 🇺🇸 pic.twitter.com/JQ6qlbvFAF
— The White House (@WhiteHouse) June 17, 2026
“Kjo marrëveshje hap rrugën për një paqe të qëndrueshme dhe lejon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, tha Macron në X.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, publikoi fotografi që tregojnë presidentin iranian, Masud Pezeshkian, duke e nënshkruar marrëveshjen midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Në fotografi, presidenti iranian shfaq faqet e marrëveshjes para kamerave, ku shihen qartë si firma e tij ashtu edhe ajo e presidentit amerikan.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, Qeveria e të cilit ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes, njoftoi në platformën X se marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë.
Si masë fillestare për ndërtimin e besimit, Irani do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni do ta heqë bllokadën e vet detare.
Sipas marrëveshjes, Irani gjithashtu duhet ta lehtësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në këtë rrugë jetike ujore pa pagesë për 60 ditë, gjatë bisedimeve për një kornizë afatgjate detare me Omanin dhe shtetet arabe të Gjirit.
Shtetet e Bashkuara do të fillojnë menjëherë ta heqin bllokadë e tyre detare dhe do ta ta bëjnë këtë plotësisht brenda 30 ditësh.
Zyrtarët amerikanë thanë se marrëveshja tashmë po jepte fryt.
“Për herë të parë në 100 ditët e këtij konflikti, Irani nuk qëlloi ndaj asnjë anijeje”, tha një zyrtar më 17 qershor.
Memorandumi parashikon gjithashtu heqjen e menjëhershme të sanksioneve amerikane ndaj eksporteve të naftës iraniane, duke ofruar lehtësim të madh për ekonominë e vendit.
Për më tepër, Uashingtoni është zotuar ta lehtësojë themelimin e një fondi rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh, të mbështetur nga vendet e rajonit, sapo të arrihet një marrëveshje më e gjerë përfundimtare mbi programin bërthamor të Iranit.
Marrëveshja parashikon gjithashtu heqjen përfundimtare të të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare amerikane ndaj Iranit, si dhe lirimin gradual të aseteve të ngrira iraniane, megjithëse zyrtarët theksuan se këto masa do të varen nga përfillja e detyrimeve nga ana e Iranit.
“Ajo që ata e pranuan është se nuk do ta marrin asnjë qindarkë, nëse nuk i përmbushnin detyrimet e veta”, tha një zyrtar.
Rezervat bërthamore
Në qendër të marrëveshjes është angazhimi i Teheranit për t’i holluar rezervat e tij të uraniumit të pasuruar gjatë një periudhe negociuese dymujore.
Sipas zyrtarëve amerikanë, materiali mund të reduktohet përmes “hollimit të tij brenda vendit nën mbikëqyrjen e IAEA-së”, Agjencisë Bërthamore të Kombeve të Bashkuara.
Irani ka riafirmuar gjithashtu se “nuk do të zotërojë apo zhvillojë armë bërthamore”.
Zyrtarët amerikanë thanë se inspektorët ndërkombëtarë dhe ekipet teknike amerikane do të luajnë rol kyç në verifikimin e kësaj. “Ne nuk merremi me besim të verbër”, tha një zyrtar i lartë.
Marrëveshja e përkohshme synon të krijojë hapësirë për negociata mbi një kuadër më gjithëpërfshirës që do të rregullojë aktivitetet bërthamore të Iranit, për të cilat Uashingtoni prej kohësh dyshon se mund të lidhen me zhvillimin e armëve.
Tani vëmendja po përqendrohet te bisedimet teknike në Zvicër këtë fundjavë, ku negociatorët do të përpiqen ta shndërrojnë memorandumin në një plan të hollësishëm zbatimi.
“Takimi i kësaj fundjave në Zvicër do të jetë mjaft vendimtar”, tha zyrtari i lartë amerikan, duke shtuar se çdo dështim i njërës palë për të përmbushur pritshmëritë duhet të bëhet i dukshëm “brenda ditësh ose javësh, jo muajsh”.
Megjithëse marrëveshja u mirëprit nga shumë njerëz si hap drejt stabilitetit rajonal, ajo ka nxitur kritika nga disa ligjvënës amerikanë.
Senatori republikan Bill Cassidy argumentoi se ambiciet bërthamore të Iranit nuk janë kufizuar mjaftueshëm dhe paralajmëroi se Teherani e ka kuptuar se mund të fitojë ndikim strategjik përmes kërcënimeve ndaj rrugëve detare tregtare.
Ndërkohë, zyrtarët iranianë e paraqitën marrëveshjen si provë se trysnia ushtarake amerikan kishte dështuar.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, e përshëndeti marrëveshjen si “fitore të madhe” për Iranin dhe falënderoi Teheranin që siguroi përfshirjen e Libanit në fushën e armëpushimit.
Luftimet në frontin libanez janë zbutur që nga shpallja e marrëveshjes, megjithëse dhuna sporadike ka vazhduar, përfshirë sulme izraelite në jug të Libanit dhe sulme të raportuara me raketa dhe dronë.
Tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj perspektivës së një zgjidhjeje afatgjatë.
Çmimet e naftës vazhduan të bien ndjeshëm më 18 qershor, pasi kishin rënë tashmë dukshëm ndërsa pritshmëritë për një marrëveshje po rriteshin./rel
