Pas përfundimit të numërimit të votave, Kosova po hyn në fazën e formimit të institucioneve të reja, ku konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit mbeten sfidat kryesore politike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim me opozitën, duke theksuar se duhet të përfundojë qasja refuzuese e saj për të shmangur zgjedhjet e reja.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetja Labinotë Demi-Murtezi tha se partisë fituese i takon të propozojë kandidatin për president dhe shprehu shpresën që opozita të mbështesë këtë proces. Ajo rikujtoi gjithashtu gatishmërinë e LVV-së për bashkëpunim, të shprehur që në natën e zgjedhjeve.
Në anën tjetër, PDK-ja dhe LDK-ja nuk kanë dalë ende me një qëndrim zyrtar lidhur me bashkëpunimin për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se çështja nuk është diskutuar ende brenda organeve partiake.
Analisti Arton Demhasaj thekson se partia fituese duhet të negociojë me opozitën për emrin e presidentit para formimit të Qeverisë, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Edhe analisti Arbnor Sadiku konsideron se një bashkëpunim mes LVV-së dhe opozitës është i mundur vetëm nëse opozita bëhet pjesë e qeverisjes. Ai argumenton se partitë opozitare e kanë ndërtuar kauzën e tyre politike rreth çështjes së presidentit dhe tërheqja nga kjo kërkesë do të dëmtonte besueshmërinë e tyre para elektoratit./Front Online
