Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Burim Kelmendi, për keqpërdorim të detyrës.
Kelemendi akuzohet nga Prokuroria se ka tejkaluar kompetencat e tij duke nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërkohë personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune.
Sipas Prokurorisë, këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim me Ligjin e Punës, duke mos shpallur konkurs publik dhe duke vazhduar më pas kontrata në fjalë.
Ai dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes në vlerë prej 114, 535.06 euro.
Përpos Kelmendit, në aktakuzën e Prokurorisë është përfshirë edhe Koordinatori në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ‘’Pastrimi’’ në Prishtinë, N.Rr.
Ai akuzohet se ka kërkuar dhe ka marrë shumën prej 1.500 euro, për punësimin e personave të ndryshëm duke premtuar se do të ushtronte ndikim të kundëligjshëm në vendimmarrjen e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie.
