Pinterest ka njoftuar të shtunën se po lançon një aplikacion eksperimental të ri, “Ask Pinterest”, i cili synon të eksplorojë një qasje më bisedore për blerjet dhe zbulimin e produkteve. Aplikacioni do të përdorë “Taste Graph” – databazën e brendshme të kompanisë që lidh përdoruesit me interesat dhe estetikën e tyre – dhe do të jetë i disponueshëm fillimisht për një grup të kufizuar përdoruesish.
Me “Ask Pinterest”, përdoruesit mund të komunikojnë në gjuhë natyrale, duke i drejtuar pyetje të thjeshta apo kërkesa komplekse, si planifikimi i një darke apo mobilimi i një dhome në faza të ndryshme. Platforma do të përfitojë nga Pins dhe Boards të ruajtur nga përdoruesi, duke ofruar rekomandime më të personalizuara dhe duke mbajtur kontekstin e sesioneve të mëparshme.
Njëkohësisht, Pinterest ka prezantuar edhe iniciativa të tjera AI, përfshirë Model Context Protocol (MCP) për reklamuesit, një asistent AI në Ads Manager (ende në fazën beta) dhe modelin “Performance+ creative” që ndihmon në zgjedhjen e krijimeve më efektive për fushatat. Këto përditësime vijnë para takimit vjetor i reklamave në Cannes Lions, ku fokusi kryesor është roli i AI në marketingun digjital.
Zyrtari i biznesit në Pinterest, Lee Brown, theksoi se “e ardhmja e zbulimit nuk do të bazohet vetëm në fjalëkyçe, por në kontekst, shije dhe rekomandime të besueshme”, duke e vendosur kompaninë në një pozicion të veçantë për shkak të të dhënave të saj të pasura me preferenca të përdoruesve.
