Qendra për Evropën e organizatës Atlantic Council do të mbajë më 24 qershor një panel virtual me ekspertë për të diskutuar shkaqet, ngjashmëritë dhe implikimet ndërkombëtare të protestave që po zhvillohen në Ballkanin Perëndimor, nga Beogradi deri në Tiranë.
Sipas njoftimit të Atlantic Council, diskutimi do të fokusohet në protestat që kanë përfshirë rajonin gjatë muajve të fundit.
Në rastin e Shqipërisë, organizata i referohet protestave kundër projektit të një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, duke i cilësuar ato si ndër më të mëdhatë në vend gjatë 35 viteve të fundit.
Ndërkohë, për Serbinë përmendet lëvizja studentore që ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj qeverisë pas tragjedisë së Novi Sadit në nëntor të vitit 2024.
Atlantic Council thekson se ekspertët do të shqyrtojnë se si këto lëvizje po ndikojnë në peizazhin demokratik të Ballkanit Perëndimor dhe çfarë pasojash gjeopolitike mund të kenë ato edhe përtej rajonit. Paneli do të zhvillohet online më 24 qershor në orën 10:00 sipas kohës lindore amerikane.
