Agim Veliu, ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka cilësuar legjitime dhe të drejta kërkesat e disa degëve për dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Në një shkrim në Facebook, Veliu ka thënë se Abdixhiku duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për dështimin në zgjedhje. Me Abdixhikun në krye, LDK-ja më 7 qershor mori rreth 17 për qind të votave si partia e tretë. Në tri raste me të si udhëheqës, LDK-ja ka mbetur parti e tretë.
“Kërkesat për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Ato burojnë nga fakti se ai mori përsipër meritat për çdo sukses të pretenduar, prandaj duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin. Nën drejtimin e tij, LDK-ja mbeti e ngujuar në vendin e tretë, pa arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet, pavarësisht premtimeve të mëdha dhe kontrollit të plotë mbi partinë. Pas disa cikleve zgjedhore pa rezultatet e premtuara, qëndrimi në krye të partisë pa reflektim politik shihet si mungesë përgjegjësie dhe pengesë për reformimin e LDK-së”, ka shkruar Veliu.
Ai e ka cilësuar arrogant reagimin e Abdixhikut ndaj kryetarëve të degëve të Lipjanit, Pejës dhe të një dege të kryeqytetit, që e kërkuan dorëheqjen e tij. Sipas Veliut, Abdixhiku po sillet si pronar partie.
“Në vend se të reflektonte mbi kritikat, ai reagoi duke kërkuar dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve që kanë fituar vazhdimisht zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë refuzon të japë llogari për rezultatet e partisë në nivel qendror. Duke u sjellë si pronar partie e jo si kryetar i zgjedhur, Abdixhiku po dërgon mesazhin se në LDK ndëshkohen ata që kërkojnë llogaridhënie, jo ata që dështojnë. Kur një lider kërkon të heshtë kritikët, të ndëshkojë fituesit dhe të mbrojë veten nga përgjegjësia politike, problemi nuk është më vetëm rezultati zgjedhor. Problemi është mënyra se si ai e kupton demokracinë, debatin e brendshëm dhe vetë funksionimin e partisë”, ka përfunduar Veliu.
Veliu pati refuzuar të ishte pjesë e listës së LDK-së në zgjedhjet e qershorit. Para këtyre zgjedhjeve nuk ishte ftuar për të qenë pjesë e listës.
