Kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kandidati Bekim Haxhiu tha se ky rezultat është i pasaktë dhe si i tillë nuk duhet pranuar.
“Janë dy fakte dhe dy argumente kryesore. Një, rinumërimi i një mostre të vogël prej 3.5% të votave të PDK-së ka evidentuar gabim në numërimin fillestar në Qendrën e Numërimit, që në fakt është rezultat preliminar dhe nuk mund të bëhet rezultat përfundimtar pa u verifikuar.”
“Dhe e dyta, në mbledhjen numër 69 të KQZ-së kryesuesi Kreshnik Radoniqi e pranoi faktin që rezultati përfundimtar është i pasaktë, ai e cilësoi si “gabime minimale e njerëzore”, por në fakt ky gabim është 4.25% për votat preferenciale të kandidatëve të PDK-së dhe si i tillë ligji nuk e lejon që të certifikohet një rezultat me gabime”, tha Haxhiu.
Ai tha se rasti i ngjashëm kishte ndodhur edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
Kurse, kandidati tjetër për deputet, Qëndrim Kryeziu tha se ligji nuk thotë që të falen gabimet sado të vogla qofshin ato.
“Por ligji nuk thotë që duhet t’i falim, ligji thotë që duhet të zbatohet për të gjithë njëjtë dhe votë për votë të numërohet çdo votë. Kështu që ne s’po kërkojmë diçka të jashtëzakonshme, po kërkojmë vetëm ata që na kanë votuar t’i falënderojmë dhe t’i kemi numrin e saktë të votave sepse dihet që ka aty më shumë gabime sesa thonë ata. Kështu që ne kërkojmë të drejtën tonë që të numërohet çdo votë dhe asnjë gjë më shumë”, tha Kryeziu.
