Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vdekjes tragjike të policit, Rexhep Gashi, i cili u godit nga një veturë në krye të detyrës së tij në Vërmicë.
Përmes një komunikate për media, SPK ka deklaruar se humbja e jetës së një polici në krye të detyrës, sipas sindikatës, e rikthen edhe një herë në vëmendje nevojën urgjente për trajtimin e çështjeve jetike për zyrtarët policorë, veçanërisht sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor.
“Policia e Kosovës kryen detyra me përgjegjësi të lartë dhe shpesh në kushte me rrezik të shtuar për jetën dhe shëndetin e tyre”, thuhet në njoftim.
Sindikata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që sa më parë të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e këtyre çështjeve të kahershme, me qëllim që zyrtarëve policorë t’u garantohet mbrojtja dhe përkrahja që meritojnë.
