Të fundit

Lala: SPAK ka sekuestruar vetëm majën e ajsbergut, hetimet për pasuritë e narkotrafikut vijojnë

Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se goditjet e fundit të Prokurorisë së Posaçme kundër pastrimit të parave të përfituara nga narkotrafiku kanë çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 650 milionë euro, duke përfshirë kulla, resorte turistike, vila luksoze dhe prona të tjera të paluajtshme.

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Lala theksoi se aksionet e deritanishme përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të pasurisë së krijuar nga aktivitetet kriminale.

“SPAK bëri dy goditje të rëndësishme ndaj grupeve kriminale për pastrimin e parave dhe tjetërsimin e pronave. Njëra lidhej me grupin e Artur Shehut, ku u sekuestruan pasuri që afroheshin me gjysmë miliard euro”, u shpreh Lala.

Sipas saj, në kuadër të këtij operacioni u bllokuan resorte, vila luksoze, leje ndërtimi dhe kulla të larta, të cilat dyshohet se janë financuar me para të ardhura nga trafiku i drogës.

Lala u ndal edhe te operacioni ndaj grupit të drejtuar nga Shpëtim Aliu, për të cilin tha se kishte vepruar kryesisht nga Ekuadori dhe furnizonte me lëndë narkotike disa organizata të tjera kriminale.

“Edhe në këtë rast, Prokuroria e Posaçme sekuestroi pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro, përfshirë ndërtime në jug të vendit dhe në zonën e Gjirit të Lalëzit”, deklaroi ajo.

Gazetarja shtoi se nga hetimet rezulton se bashkëpunëtorë të organizatës kishin transferuar miliona euro drejt Ekuadorit, ndërsa grupi kishte kapacitet për të nxjerrë nga portet evropiane sasi të mëdha kokaine.

“Vetëm për sasitë e sekuestruara deri tani, prokuroria pretendon se organizata e Shpëtim Aliut ka pastruar rreth 30 milionë euro, vetëm gjatë periudhës për të cilën ekzistojnë prova dhe komunikime”, tha Lala.

Ajo theksoi se mbetet ende sfidë për autoritetet identifikimi i pasurive të tjera, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si dhe i investimeve të mundshme në kriptovaluta.

“SPAK po vijon hetimet për pastrimin e parave dhe po verifikon nëse pasuritë e regjistruara në emër të personave të tretë justifikohen nga burime të ligjshme financiare”, u shpreh ajo.

Në përfundim, Lala nënvizoi se dosjet e fundit kanë konfirmuar dyshimet e ngritura prej vitesh nga gazetarët investigativë mbi destinacionin e parave të narkotrafikut.

“Kemi parë vetëm majën e ajsbergut. Dosjet kanë dëshmuar se paratë e trafikut janë investuar në kulla, resorte, prona dhe biznese të ndryshme. Madje, sipas dyshimeve, miliona euro janë përdorur edhe për blerjen e votës”, deklaroi gazetarja.

Ajo shtoi se hetimet mund të shtrihen edhe në financimin e proceseve zgjedhore, duke verifikuar nëse rrjete të caktuara kriminale kanë ndikuar përmes financimeve të paligjshme në zgjedhje.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci