Kërkimet për 25-vjeçarin që dyshohet se ra në ujërat e Liqenit të Batllavës janë ndërprerë për ditën e sotme, dhe priten të vazhdojnë nesër pasi ende nuk ka gjurmë të tij.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 13:00 të ditës së sotme është pranuar informata se një person kishte hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk ishte parë të dilte.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje janë angazhuar njësitë e Policisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, të cilat kanë zhvilluar një operacion të gjerë në përpjekje për lokalizimin e tij.
Një punëtor i kompanisë që i kishte dhënë me qira varkën 25-vjeçarit ka deklaruar se para nisjes i kishte ofruar jelekun e shpëtimit, por ai e kishte refuzuar.
Kërkimet e zhvilluara deri në mbrëmje nuk dhanë rezultat, ndërsa operacioni u ndërpre për shkak të errësirës dhe pritet të vazhdojë nga ekipet kompetente.
Rrethanat e rastit janë ende duke u hetuar nga organet përkatëse.
