Dashnim Miftari, një nga biznesmenët më të fuqishëm të industrisë së karburanteve të naftës në Kosovës, u arrestua të mërkurën në një operacion masiv të autoriteteve shtetërore kundër shpëlarjes së parave dhe kontrabandës.
I fuqishmi i industrisë së naftës dyshohet si një nga drejtuesit e grupit të organizuar kriminal të cilin e goditën autoritetet të mërkurën, mësoi Paparaci nga burime të mirëinformuara brenda organeve të hetuesisë.
Grupi i goditur përbëhej nga së paku nëntë individë.
Ata, dyshohen për përfshirje në një skemë të organizuar kriminale me naftën.
Sipas hetimeve të Prokurorisë Speciale, grupi dyshohet se përdorte dokumente fiktive tatimore dhe realizonte shitje fiktive të derivateve të naftës.
Operacioni u zhvillua në 21 lokacione brenda territorit të Kosovës, sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës të mërkurën.
Bastisjet rezultuan me arrestimin e nëntë individëve.
Emri kryesor nga individët e arrestuar është ai i Dashnim Miftarit, pronarit të biznesit Veda -2-Petroll Sh.P.K., një prej rrjeteve më të mëdha të shitjes së karburantit për automjete në vend.
Rrjeti i Veda -2-Petroll Sh.P.K. në pronësi të Miftarit zotëron rreth 50 njësi me pika të karburanteve dhe markete në të gjithë territorin e Kosovës, bazuar në të dhënat e biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).
Në pranga kanë rënë edhe tregtarë të tjerë të naftës.
Tre anëtarë të familjes Mazrek nga Mamusha: Faruk, Muhamet dhe Fariz Mazrek, të ndaluar në aksionin e të mërkurës, udhëheqin një biznes të karburantit të naftës në këtë komunë me shumicë turke.
Fatmir Visoka, pronar i Extra Petrol, një pike të derivateve në Hoçë të Madhe dhe familjari i tij Korab Visoka, u arrestuan në operacion, mësoi Paparaci.
Prokuroria tha se sekuestroi 15 mijë euro para të gatshme, pesë vetura, pesë autobotë për transport të derivateve të naftës, dy armë zjarri, 54 fishekë dhe prova të tjera materiale.
301 euro në kartëmonedha prej dy eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, po ashtu u sekuestruan gjatë operacionit, sipas një njoftimi të Prokurorisë Speciale.
Të dyshuarit ngarkohen për veprat penale të shpëlarjes së parave, kontrabandimit të mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar dhe përdorimit të dokumenteve të rreme lidhur me tatimin dhe shmangies nga tatimi. /Paparaci.com
