E enjtja është një ditë zie për dy familje shqiptare, të cilat sot do t’u japin lamtumirën e fundit dy grave që humbën jetën tragjikisht në aksidente të ndara jashtë Kosovës, transmeton albinfo.ch.
Sot do të zhvillohet ceremonia mortore për Besire Kolgeci-Baraliun, me prejardhje nga fshati Bukosh i Suharekës, e cila humbi jetën si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në Francë.
Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia e varrimit do të mbahet nga ora 14:00 në varrezat e qytetit Lingolsheim, në Francë.
Në aksidentin tragjik ishin lënduar edhe bashkëshorti i saj dhe dy djemtë e familjes, të cilët morën trajtim mjekësor në një spital në Bazel.
Po gjatë ditës së sotme do t’i jepet lamtumira e fundit edhe 20-vjeçares Rina Krasniqi nga fshati Damanek i Malishevës, e cila humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Gjermani.
Familjarët kanë bërë të ditur se ceremonia e varrimit të saj do të mbahet në orën 18:00, në varrezat e fshatit Damanek, ku do të përcillet për në banesën e fundit nga familjarë, miq dhe bashkëfshatarë.
Humbja e dy mërgimtareve ka prekur thellë familjet dhe komunitetin shqiptar, ndërsa ngjarjet tragjike kanë zgjuar reagime të shumta dhe mesazhe ngushëllimi nga bashkatdhetarët.
