Disney po përgatitet për një tjetër kapitull të aventurës së animuar detare, pasi Dwayne Johnson ka konfirmuar se “Moana 3” është në proces e sipër. Aktori, i cili i jep zë gjysmëperëndisë Maui, e bëri të ditur këtë lajm gjatë një konference për shtyp në Rio de Janeiro, në kuadër të promovimit të versionit live-action të filmit “Moana”, i cili pritet të shfaqet në kinema më 10 korrik.
Ai konfirmoi se skenaristët Jared Bush dhe Dana Ledoux Miller, të cilët kanë punuar në projektet e mëparshme, janë angazhuar për të shkruar skenarin e “Moana 3”.
Suksesi i kësaj serie është dëshmuar ndër vite. Filmi i parë i vitit 2016 arkëtoi 680 milionë dollarë në nivel global, ndërsa “Moana 2”, i cili u shndërrua nga një projekt për transmetim në një film kinematografik, arriti shifrën prej 1.059 miliardë dollarësh pas premierës në fund të vitit 2024.
Për momentin, detajet mbi përmbajtjen e filmit të tretë mbeten të pazbuluara, ashtu siç nuk është konfirmuar ende se kush do të jetë përgjegjës për muzikën. Në filmin e parë, këngët u shkruan nga Lin-Manuel Miranda, ndërsa për të dytin detyrat e kompozimit iu besuan Abigail Barlow dhe Emily Bear.
Përpara se audienca të shohë “Moana 3”, Disney do të sjellë versionin live-action të filmit origjinal. Ky projekt, i cili shënon debutimin e regjisorit Thomas Kail në një film të metrazhit të gjatë, vjen me skenar të Bush dhe Miller. Në rolet kryesore do të paraqiten Dwayne Johnson dhe aktorja e re Catherine Laga’aia.
Burimi: variety.com
