Spanja ka regjistruar mbi 1.1 milionë aplikime nga emigrantët që kërkojnë status ligjor, përmes një skeme të nisur nga qeveria në muajin prill. Sipas të dhënave të bëra publike nga Sekretarja e Shtetit për Migracion, Pilar Cancela, në një konferencë për media në Madrid, në periudhën midis mesit të prillit dhe 30 qershorit janë dorëzuar gjithsej 1,174,978 aplikime. Mbi 600,000 prej tyre janë aktualisht në proces shqyrtimi.
Pas tyre renditen shtetasit nga vendet afrikane me 22.9 për qind. Sa i përket vendeve të tjera, Maroku përfaqëson 13.3 për qind, Venezuela 11.8 për qind dhe Peruja 8.8 për qind. Shumica e aplikantëve janë të rinj, ku tetë nga dhjetë janë nën moshën 45-vjeçare, ndërsa 57 për qind e tyre janë meshkuj.
Kryeministri Sanchez deklaroi se pa emigracionin, Spanja rrezikon të humbasë 19 për qind të PBB-së deri në vitin 2050, duke paralajmëruar pasoja për bizneset, arsimin dhe bujqësinë. Megjithatë, qeveria ka sqaruar se numri i aplikimeve nuk tregon domosdoshmërisht numrin e personave që do të legalizohen, pasi parashikimet flasin për rreth 500,000 përfitues të mundshëm.
Për t'u kualifikuar, aplikantët duhet të dëshmojnë se kanë një dosje të pastër penale dhe se kanë qëndruar në Spanjë për të paktën pesë muaj të njëpasnjëshëm para datës 1 janar. Autoritetet spanjolle kanë një afat prej tre muajsh për të shqyrtuar dokumentacionin dhe për të vendosur mbi lëshimin e lejeve të punës dhe qëndrimit.
Kjo politikë ka nxitur reagime të ashpra nga opozita konservatore dhe e ekstremit të djathtë. Santiago Abascal, udhëheqësi i partisë Vox, e ka kundërshtuar ashpër skemën, duke e cilësuar atë si një “invazion” dhe një tradhti ndaj qytetarëve spanjollë, duke pretenduar se emigrantët do të konkurrojnë për vende pune, strehim dhe shërbime sociale.
Burimi: aljazeera.com
