Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) sot mbajti konferencën për media ku shprehi shqetësim të madh ndaj zhvillimeve që kanë prekur qumështoren “Vita”, një nga emrat më të rëndësishëm të industrisë së qumështit në Kosovë.
Mbyllja apo kufizimi i aktivitetit të një industrie të tillë nuk është vetëm një vendim teknik – është një goditje direkte ndaj prodhimit vendor dhe ekonomisë kombëtare.
Ne e përsërisim qartë: “Një shtet që nuk mbron prodhimin e vet, përfundon i varur nga importi.”
Prodhimi vendor nuk mund të zëvendësohet me produkte të huaja pa pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Çdo hap që dobëson këtë sektor, dobëson fermerin kosovar, punëtorin vendor dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Në këtë kontekst ne theksojmë qartë:“Qumështi ‘Vita’ nuk mund të zëvendësohet me produkte të importuara si ‘Moja Kravica’ apo marka të tjera të huaja, sepse kjo nënkupton zhvendosje të vlerës ekonomike nga Kosova drejt tregjeve të jashtme.”
Agim Shahini, kryetar i AKB-së thekson qartë se çdo biznes që operon në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet kontrollit dhe mbikëqyrjes nga institucionet kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Inspektimet dhe kontrollet janë të domosdoshme për garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e shëndetit publik dhe respektimin e standardeve ligjore, dhe ato duhet të zhvillohen rregullisht për të gjithë operatorët ekonomikë, pa asnjë përjashtim.
Megjithatë, këto kontrolle duhet të realizohen në mënyrë profesionale, të paanshme, transparente dhe proporcionale, duke respektuar procedurat ligjore dhe duke trajtuar të gjithë bizneset në mënyrë të barabartë, pa krijuar perceptimin e presionit selektiv apo ndikimit të interesave politike ose ekonomike.
Nëse veprime të tilla janë rezultat i ndikimeve të mundshme të lobimeve tregtare apo interesave të importit, atëherë duhet të jemi të sinqertë me qytetarët: tregu nuk do të qëndrojë indiferent.
Çdo përpjekje për të zëvendësuar prodhimin vendor me import të imponuar ekonomikisht do të përballet me reagimin te AKB-së dhe e konsumatorëve kosovarë.
AKB nuk bën thirrje për konflikt, por për vetëdijesim ekonomik. Konsumatori kosovar ka treguar gjithmonë se mbështet prodhimin vendor dhe e di vlerën e tij.
