Përfaqësues të qumështores “Vita” nëpërmjet një konference për media të mbajtur një ditë pas inspektimit me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja që rezultoi me mbylljen e përkohshme të qumështores, kanë garantuar se qumështi i fermerëve nga Kosova është cilësor, teksa kanë shtuar se qeveria në detyrë po i lë këta fermerë në baltë.
Në këtë konferencë përfaqësuesit e qumështores “Vita” kanë kritikuar se importet me çmime dumping po shkatërrojnë industrinë e qumështit në Kosovë, ndërkaq kanë kërkuar transparencë të plotë edhe lidhur me inspektimin që shteti bëri të enjten.
Drejtori i Vitës, Artan Spahija i bëri thirrje ministrisë që të publikojë rezultatet nga mostrat që ka marrë në qumështin 3.2 për qind dhe se janë gati t’i kthehen menjëherë punës.
“Arsyeja e vizitës të një grupi prej 15 aqpo 20 personave; fillimisht kanë ardhur si inspektorë, pastaj ka dalë se janë të ministrisë me një vendim, që me datë 2.7, ministri në detyrë, Armend Muja ka dhënë për një kontrollë urgjente për qumështoren Vita. Neve na ka ardhur vetëm kjo (dokument) nga këshilltarja e ministrit dhe jo nga dikush tjetër. Për fat të keq muj me thanë që ka pasë grup punues që nuk është marrë fare me neve, ka pasë të MINT dhe të AUVK dhe të gjithë këtë kanë fillu vizitë në fabrikë. Dua të ju njoftoj që vendimin për pezullimin s’e ka marrë as Ministria as AUVK, këtë e kemi marrë ne si bord, arsyeja ka qenë se janë marrë mostrat të qumështit Vita 3,2 me pretendimin të analizës. Ne iu bëjmë apel që sa më shpejt të jetë e mundur, të bëhen analizat, të publikohen dhe ne jemi të gatshëm që sot ose nesër të fillojmë me grumbullimin”, tha Spahija
Ndërkaq, drejtori ligjor i qumështores “Vita”, Lekë Sahatçiu tha se kompania nuk ka asgjë për të fshehur, teksa ftoi Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë që lirisht të vijë dhe të hap një zyrë në objektin e qumështores.
“Vizita e djeshme e ka konfirmu edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme për industrinë tonë të qumështit, posaçërisht për qumështoren VITA. E ka vërtetu faktin që ne u kemi dërgu pikave tona grumbulluese, jo fermerëve, t’u e marrë parasysh situatën e rëndë në të cilën ndodhet industria e qumështit në Kosovë, i kemi lajmëruar dhe u kemi thënë që për shkak të gjendjes sonë nuk mundemi me u furnizu prej pikave grumbulluese në sasinë që jemi furnizu, por duhet ta ulim në 50 për qind kapacitetin, për shkak se gjendja e stokut ka dalë jashtë kontrollit dhe janë mbi dy milionë litra që janë duke ndenjur në stok. Ky është proces shumë normal kotraktual”.
Gjatë inspektimit të kryer të enjten, zyrtarë të partisë në pushtet, por edhe deputetë nisën propagandën për përdorimin e vajit të palmës në qumësht, por drejtori i qumështores “Vita” i dha fund kësaj propagande duke shtjelluar përdorimin e këtij vaji.
Të enjten, me urdhër të ministrit Armend Muja nisi inspektimi vetëm në qumështoren “Vita”, ani pse inspektorët thanë inspektimet do të kryheshin edhe te prodhuesit e tjerë, por kjo deri më tani nuk na ndodhur.
