Project Mirage ka prezantuar Dune, një tastierë kompakte prej alumini me tre butona, e cila ka përmasat e një shkopi çamçakëzi dhe lidhet në portën USB-C të MacBook-ut. Pajisja, e cila aktualisht kushton 119 dollarë, ndryshon funksionet e saj varësisht nga aplikacioni që është i hapur në ekran.
Në aplikacionet për takime, butonat mund të konfigurohen për të aktivizuar ose çaktivizuar mikrofonin dhe kamerën, si dhe për të sjellë dritaren në plan të parë. Në programe si Excel ose Sheets, ato mund të shërbejnë për komandat kopjo, ngjit dhe anulo, ndërsa në shfletuesin Chrome mund të përdoren për rifreskim ose navigim.
Nëse portat janë të zëna, pajisja mund të lidhet përmes një dongle-i. Dune nuk përdor bateri, pasi merr energji drejtpërdrejt nga laptopi. Aktualisht, pajisja mbështet modelet M2 Air ose më të reja, si dhe M1 Pro ose më të reja, që përdorin macOS 15 Sequoia ose version më të ri.
Përdoruesit mund të konfigurojnë shkurtore përmes një aplikacioni shoqërues, i cili gjithashtu sinkronizohet me kalendarin për të lehtësuar pjesëmarrjen në takime. Për personalizim të thelluar, përdoruesit mund të shkruajnë skripte në Python ose të përdorin integrimin me Claude Desktop, ku shkurtoret mund të krijohen përmes përshkrimeve në gjuhë të thjeshtë.
Pavarësisht këtyre mundësive, disa përdorues kanë raportuar se butonat kanë rezistencë të lartë dhe mund të shtypen aksidentalisht gjatë përdorimit të përditshëm. Gjithashtu, marketplace-i i aplikacionit aktualisht ofron numër të kufizuar të "skills" dhe nuk lejon testimin e tyre përpara se të caktohen në butonat fizikë.
Pas përfundimit të çmimit hyrës, pajisja do të shitet për 149 dollarë. Krahasuar me pajisje të tjera si MuteMe apo Stream Deck, Dune ofron një qasje më të thjeshtë për personalizimin e harduerit dhe softuerit.
Burimi: techcrunch.com
