Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, e konsideron vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë si një nga shqetësimet kryesore në këtë fazë të procesit gjyqësor.
Pas njoftimit të Dhomave të Specializuara se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të shpallet më 16 shtator, në orën 10:00, Jakaj thotë se shtyrja e vendimit nuk paraqet problem në vetvete, por se arsyetimi i gjykatës dhe vazhdimi i paraburgimit ngrejnë shqetësime serioze.
Ai ka thënë për KosovaPress se shtyrja e shpalljes së aktgjykimit ka qenë e pritshme, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat është zhvilluar procesi gjyqësor. Megjithatë, ai ka theksuar se shqetësuese mbeten arsyetimi i gjykatës për volumin e provave dhe dokumenteve, si dhe vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarve në këtë fazë të procesit.
Në rrethanat në të cilat është zhvilluar vetë procesi gjyqësor, për mua ka qenë i pritshëm shtyrja e vendimit. Tani më sa duket është përfundimtare sepse është caktuar data edhe ora. Shtyrja e shpalljes së vendimit nuk paraqet ndonjë problem, por shqetësim mbeten arsyet që janë dhënë nga gjykata në atë që ka shumë prova, ka shumë dokumente që duhet me u shqyrtua deri në vendimmarrje. Mendoj që procesi i shqyrtimit të provave dhe i analizimit të tyre ka përfunduar gjatë procedurës së shqyrtimit të provave.. Dhe aspekti i dytë i shqetësimit lidhet me vazhdimin e paraburgimit në këtë fazë, sepse tani më nuk ka arsye dhe shumica e arsyeve për të cilat është caktuar paraburgimi nuk ekzistojnë. Mundësia e ndërhyrjes te dëshmitarët nuk ekziston sepse dëshmitarët veç e kanë kryer procesin e dhënies së dëshmive. Ndikimi në prova nuk mund të jetë sepse provat veç janë në gjykatë. Dhe, të marrë parasysh kohëzgjatjen e paraburgimit, natyrisht është një prej shqetësimeve kryesore që unë e kam si Avokat i Popullit”, thotë Qelaj.
Qelaj ka thënë se shqetësimet e tij lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara janë paraqitur qysh në vitin 2021, pas vizitës së parë që kishte zhvilluar në këtë institucion. Sipas tij, këto shqetësime i janë paraqitur edhe kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, gjatë një takimi në Kosovë, edhe përmes letrave, por nuk ka marrë përgjigje.
Për shkak të mungesës së përgjigjes nga gjykata, Qelaj ka thënë se ka angazhuar një organizatë ndërkombëtare të pavarur për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, e cila ka hartuar një raport për shqetësimet e ngritura.
Ai ka bërë të ditur se muajin e kaluar është mbajtur një takim në Hagë me misionet diplomatike të vendeve të akredituara në Holandë, ku janë prezantuar gjetjet e raportit.
Rreth raportit, avokati i popullit ka thënë se Kosova duhet të krijojë mekanizma të monitorimit në Hagë, me qëllim të ketë një analizë më të detajuar të të gjithë procesit, në mënyrë që mos të cenohen të drejtat e njeriut.
Rikujtojmë se Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Më pas, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, vendosi ta shtyjë këtë afat deri më 20 korrik 2026, ndërsa tash ka caktuar datën 16 shtator për shpalljen e aktgjykimit.
