“Pasha gjakun”, kështu nisi fermeri veteran i UÇK-së, Tafë Çeku, të derdh qumështin në lum teksa garantonte se qumështi “Vita” është 100 për qind i Kosovës.
Një fermer i qumështit në Deçan që bashkëpunon me qumështoren “Vita” në shenjë proteste ndaj mbylljes së kësaj qumështoreje, ka derdhur qumështin në lum.
Veterani i ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ka thënë se po i duket sikur është ka e derdhë gjakun, ashtu si gjatë luftës, teksa hodhi qumështin në lumë.
“Jam i detyruar mi kalxo popullit tem se qumështi është vendor është 100 për qind i Kosovës, 100 për qind i pastër, opinioni që nuk e di çka është qumështi po thonë se është pluhun ose vaj palme, është 100 për qind i Kosovës”, ka thënë ai.
Edhe disa fermerë të tjerë kanë derdhur qumështin në lumë në shenjë proteste për mbylljen e qumështores “Vita” në Istog.
Një tjetër prodhues i qumështit ka bërë thirrje që të mos tallen me fermerët e Kosovës teksa ka nisur të derdhin qumështin në lumë.
“Na vjen kjo kohë që shteti të bëjë atë që nuk është dashur ta bëjë, por jo në këtë mënyrë. Kjo qeveri po shihet se nuk ka dhimbje për asnjë qytetar”, ka thënë ai.
“Kujdes mos luani me popullin, mos luani me bukën e Kosovës”, ka thënë ai.
Zyrtarët e AUV-së thanë se rezultatet përfundimtare priten pas analizave laboratorike.
Shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, tha se inspektimi në fabrikën “Vita” është kryer më 2 korrik, në bashkëpunim me njësitë e tjera inspektuese dhe në zbatim të vendimit të ministrit. Të shtunën para mediave ai theksoi se po i presin rezultatet e analizave, tek shtoi se “inspektimi ka qenë transparent”.
Udhëheqësi i Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, tha se komisioni, bazuar në gjetjet e inspektorëve në terren, ka konstatuar shkelje të vendimit të Ministrisë nga ana e subjektit.
“Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, tha Zyrapi.
Pa u bërë 24 orë nga inspektimi kompania po më 2 korrik njoftoi ndërprerjen e punës në qumështore. E drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita”, Arton Spahija, ka thënë se bordi e kishte marrë këtë vendim.
“Desha t’ju njoftoj se vendimin për pezullimin nuk e ka marrë as ministria, por nuk e ka marrë as AVUK-u. Këtë e kemi marrë neve si bord. Arsyeja e këtij vendimi ka qenë se janë marrë mostra të qumështit Vita, 3-2 me pretendim të analizës”, ka thënë Spahija.
