Është lokalizuar dhe shuar zjarri në fshatin Ballancë të Vitisë i cili ishte përhapur orë më parë duke rrezikuar edhe disa shtëpi banimi.
Lajmin e ka bërë të ditur komandanti i njësisë se zjarrfikësve në Viti, Hetem Jakupi.
Ai ka thënë se zjarri u shua falë reagimit të shpejtë dhe profesional nga zjarrfikësit.
“Ju njoftojmë se zjarri i raportuar në fshatin Ballancë, Komuna e Vitisë, është lokalizuar dhe shuar plotësisht nga ekipet e Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Falë reagimit të shpejtë, angazhimit maksimal dhe punës profesionale të zjarrfikësve, u arrit të parandalohet përhapja e flakëve drejt sipërfaqeve tjera dhe pronave përreth, duke shmangur dëme edhe më të mëdha. Pas përfundimit me sukses të intervenimit dhe sigurimit të plotë të zonës, ekipet e zjarrfikësve janë tërhequr dhe janë kthyer në bazë, duke mbetur në gatishmëri të plotë për çdo rast tjetër emergjent”, ka shkruar Jakupi në Facebook.
