Gazetari Lirim Mehmetaj ka hedhur akuza të forta ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ministrit të Bujqësisë, duke i lidhur rastet e mëparshme të mishit të importuar nga Brazili, peshkut me krimba dhe debatit të fundit për cilësinë e qumështit.
Në një reagim publik, Mehmetaj kujton rastin kur, sipas tij, një kompani në Kosovë importonte mish nga Brazili dhe e ripaketonte si mish të freskët të Kosovës dhe të eksportuar në Shqipëri. Ai pretendon se, në vend që të merrej me dyshimet për mashtrim ndaj konsumatorëve, ministri Faton Peci e kishte mbrojtur kompaninë, duke deklaruar se “mishi i Brazilit është shumë cilësor”.
Sipas Mehmetajt, më vonë ai kishte raportuar edhe për një kompani që, sipas pretendimeve të tij, fitonte tenderë për furnizimin me mish të freskët në institucionet publike, përfshirë spitalet. Ai thotë se ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal, por se më pas rasti ishte mbyllur.
Gazetari rikujton edhe raportimet për praninë e krimbave në peshk, duke pretenduar se analizat laboratorike shtetërore e kishin konfirmuar këtë, ndërsa institucionet, sipas tij, fillimisht kishin minimizuar rastin.
Duke iu referuar debatit të fundit për qumështin, Mehmetaj akuzon Qeverinë se nuk po tregon interes për cilësinë e produkteve ushqimore që konsumohen në Kosovë.
“Nëse je me ta, mund të shesësh mish të Brazilit, peshk me krimba e çfarë të duash. Nëse nuk je me ta, dokumentoje edhe se ke qumështin më cilësor në botë, prapë je në shënjestër”, shkruan Mehmetaj në fund të reagimit të tij.
