Prishtina mund të mbetet pa menaxhim të hapësirave të parkingjeve duke filluar nga sot.
Rreth 200 punonjës të “Prishtina Parking”, ndërmarrjes që menaxhon parkingjet në kryeqytet, kanë kërcënuar me pezullim të punës në rast se nuk ekzekutohen pagat e punonjësve sot.
Ata kanë protestuar sot në Prishtinë.
Përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve të ndërmarrjes thanë se vonesat në paga janë bërë problem i vazhdueshëm.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Prishtina Parking”, Flamur Hajdari, tha se sipas kontratës paga duhet të ekzekutohet deri më datën 5 të muajit, por kjo nuk ka ndodhur dhe se nga kjo janë prekur rreth 200 punëtorë.
“Arsyeja pse jemi mbledhur sot është se paga që ka pasur të jetë më e ekzekutuar nuk është ekzekutuar ende. Është data 7 sot, me kontratë kemi të drejtë deri në datën 5 me prit. Pas datës 5 ende nuk është ekzekutuar. Arsyeja pse jena mbledh sot nuk janë të gjithë, se disa i kemi lënë nëpër pika për shkak që mos me e neglizhu krejt punën. Po sidoqoftë po presim që sot gjatë ditës me u ekzekutu. Qëllimet tona është që t’i bëj thirrje edhe kryetarit, zotëri Përparim Ramës që le të reflekton diçka ndaj ndërmarrjes tonë, e cila është në krizë”, tha Hajdari.
Anëtari i Sindikatës, Safet Zuka, tha se punëtorët e kishin paralajmëruar më herët ndërmarrjen për protestë në rast se pagat nuk ekzekutoheshin në afatin e paraparë.
“Në qoftë se ekzekutohet sot, sipas disa fjalëve që bëhen në pyetje, po flitet që sot do të ekzekutohet, prapë kthehemi në punë. Vjen i pesti tjetër, prapë do ta ndërpresim deri sa të gjendet një zgjidhje. Kjo nuk është zgjidhje kështu, kjo nuk është në rregull”, tha Zuka.
