Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani i ka sfiduar pushtetarët që të kryejnë analizat e narko-testit.
Ai ka thënë se përdorimi i drogave është një nga rreziqet kryesore që i kanoset shoqërisë.
Në një video-deklaratë të publikuar të mërkurën, deputeti Ramadani i ka ftuar funksionarët në qeveri që t’i nënshtrohen narko-testit, në mënyrë që të japin shembull te qytetarët.
“Shteti ka përgjegjësi për luftimin e drogërave dhe ka shumë institucione të cilat kanë mandat për të kryer këtë punë, por mbi të gjitha është një institucion dhe ky institucion është Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ramadani.
“Ju sfidoj që të bëni narko-testin, jo që po ju paragjykoj, por për t’ju dhënë shembullin se gjithçka nis nga vetja”, ka thënë ai. “Më 23 qershor, pak ditë pas zgjedhjeve, e kam bërë rezultatin e narko-testit në QKUK”.
Arsyeja e testimit, sipas tij, është dhënia e shembullit te qytetarët.
