Qarkullimi i automjeteve në segmentin rrugor Brezovicë–Prevallë do të ndërpritet përkohësisht gjatë ditës së sotme, për shkak të punimeve të asfaltimit që po realizohen në kuadër të projektit në rrugën Fushë e Pajtimit–Prevallë.
Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se gjatë ditës do të asfaltohet një segment rrugor me gjatësi prej 1 kilometri.
“Për të mundësuar zhvillimin e punimeve në mënyrë të sigurt, pa pengesa dhe në përputhje me standardet teknike, qarkullimi në segmentin Brezovicë–Prevallë do të jetë i mbyllur nga ora 08:00 deri në orën 18:00”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas Ministrisë, mbyllja e përkohshme e këtij segmenti është e domosdoshme për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe të punëtorëve të angazhuar në terren, si dhe për të siguruar realizimin cilësor të shtresës së asfaltit.
Me këtë rast, udhëtarët janë ftuar të shfrytëzojnë rrugët alternative.
