Prokuroria Speciale ndaloi të martën edhe dy të dyshuar për përfshirje në skemën e dyshuar si kriminale me naftë, krahas nëntë të tjerëve të arrestuar në një operacion masiv të zhvilluar në fillimin e këtij muaji.
Paparaci mëson se dy të ndaluarit të martën, në rastin e njohur si “Pastrimi”, janë Fatmir dhe Korab Visoka.
Sipas Prokurorisë Speciale, dy të ndaluarit dyshohet për gjashtë vepra të rënda penale.
“K.V dhe F.V., janë ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; Kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje; Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin; Shmangia nga tatimi; Shpëlarje e parave dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Prokuroria në një njoftim për media.
Njëri nga të arrestuarit, Fatmir Visoka, është zotërues i 100% të aksioneve në kompaninë Extra Petrol Sh.P.K., e cila merret me tregtinë me pakicë të karburanteve për automjete, bazuar në regjistrin e kompanisë pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).
Korab Visoka dyshohet se është familjar i pronarit të Extra Petrol Sh.p.k., raporton Paparaci.
Pronari i Extra Petrol Sh.P.K, e cila posedon një njësi biznesore në fshatin Hoçë e Madhe në Rahovec, zotëron edhe 25% të aksioneve në një kompani tjetër që vepron në industrinë e naftës.
Hetimet e Prokurorisë Speciale kanë zbuluar dyshimet për përfshirjen e Fatmir dhe Korab Visokës në kontrabandim të naftës nga Shqipëria.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ata, në bashkëpunim me dy të dyshuar të tjerë, pretendohet se kontrabanduan naftë duke deklaruar importin e sasive të mëdha të naftës në Kosovë për bizneset e tyre, përmes portit “Porto Romano” të Durrësit.
“[…] ku kontrabandimin e ka organizuar i pandehuri Faruk Mazrek ashtu që në të vërtet mjetet e tyre transportuese në Shqipëri janë ngarkuar me vetëm 20 % të sasisë së naftës ndërsa sasinë e mbetur të naftës i pandehuri Faruk ua ka shitur në mënyrë të kundërligjshme bizneseve në Shqipëri, ashtu që vijën kufitare të Kosovës autobotet e kanë kaluar duke shmangur kontrollin doganor në atë mënyrë që brenda tyre dhoma ndarëse me naftë ka qenë e ndarë nga dhomat tjera, të mbushura me ujë”, thuhet në dosje.
Dy të ndaluarit, me urdhër të prokurorit special, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Paparaci.com
