Të fundit

Në kohën e korrupsionit masiv në Byronë e Sigurimeve, Sami Mazreku punësoi vajzën e kryeprokurorit të ri

Zejnullah Gashi u detyrua të tërhiqej nga një prej rasteve më të mëdha korruptive të viteve të fundit, ai i Sami Mazrekut në BKS, pasi ish-drejtori i këtij institucioni e kishte punësuar aty vajzën e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Një dokument zyrtar, të cilin e ka siguruar Paparaci, dëshmon se Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnullah Gashi ishte në konflikt interesi në një nga aferat më të mëdha korruptive të viteve të fundit.

I dekretuari të martën nga u.d. presidentja Albulena Haxhiu në detyrën e kryeprokurorit, ishte tërhequr vitin e kaluar nga trajtimi i aferës së korrupsionit masiv financiar në Byronë Kosovare të Sigurimeve, dëshmon një kërkesë që ai ia kishte drejtuar ish u.d. kryeprokurorit Besim Kelmendi.

Në kërkesë, Zejnullah Gashi e kishte pranuar se vajza e tij ishte punësuar në Byronë e Sigurimeve gjatë periudhës kur ky institucion drejtohej nga Sami Mazreku, i dyshuari kryesor në këtë aferë.

Mazreku, i cili udhëhoqi BKS-në në vitet 2021-2024, dyshohej edhe për punësime ilegale – pa konkurs – tregojnë raportet e auditimit të brendshëm në byro.

Pikërisht në këtë periudhë ishte punësuar vajza e kryeprokurorit të ri.

I gjendur në konflikt interesi, Gashi kishte kërkuar nga Kelmendi që kallëzimi penal ndaj Mazrekut dhe të dyshuarve të tjerë të mos trajtohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Shkresa zyrtare ishte dorëzuar në mars të vitit të kaluar, raporton Paparaci.

“I nderuar U.D. Kryeprokuror i Shtetit z. Kelmendi, me datë 26.03.2025 në zyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është pranuar vendimi juaj me numër A.nr. 153/2025, përmes së cilës lëndën e evidentuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës me numër A.nr. 57/25, e keni deleguar në juridiksion të Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, e kishte njoftuar Gashi, ish U.D. kryeprokurorin Kelmendi.

Gashi kishte një kërkesë: lënda korruptive e Sami Mazrekut t’i bartej një prokurorie tjetër.

“Pas pranimit të vendimit tuaj, si dhe pas analizimit të kallëzimit penal të parashtruar nga Byroja Kosovare e Sigurimit, të cilën sipas autorizimit i përfaqëson av. Arianit Koci dhe Granit Vokshi ndaj të dyshuarve Sami Mazreku etj, për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i Besimit, Mashtrimi si dhe ndihma për veprat penale Keqpërdorimi i Besimit dhe Mashtrimi, e parashtroj këtë kërkesë me qëllim që kompetente lidhur me këtë lëndë të caktohet ndonjëra nga prokuroritë e tjera të Republikës së Kosovës”, thuhej në kërkesën e Gashit.

Shkresa e datës 27.03.2025 – Kërkesa e Zejnullah Gashit drejtuar Besim Kelmendit

Në kërkesë, ish-kryeprokurori i Prishtinës kishte zbuluar se vajza e tij, Blinera Gashi, ishte punësuar në Byronë e Sigurimeve pikërisht “në kohën kur drejtor ekzekutiv i byrosë” ishte i dyshuari për keqpërdorime masive brenda shoqatës.

“Kjo duke pasur parasysh faktin që vajza ime, Blinera Gashi, është e punësuar në Byronë Kosovare të Sigurimit, si dhe e njëjta është e pranuar në punë pikërisht në kohën kur drejtor ekzekutiv i byrosë ka qenë këtu i dyshuari Sami Mazreku”, e kishte lajmëruar ai, të mandatuarin asokohe si udhëheq të Prokurorisë së Shtetit.

Kërkesa e Gashit ishte miratuar.

Vitin e kaluar, rasti i Mazrekut dhe të tjerëve i kishte kaluar Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi që fillimisht ishte deleguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Fillimisht, kallëzimin penal për korrupsionin në BQK e kishte trajtuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK). Por, ajo e kishte bartur atë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilën e udhëhiqte Zejnullah Gashi, pasi kishte konsideruar rasti nuk bie në kompetencë të saj.

Sami Mazreku ishte arrestuar më 8 janar të këtij viti nën dyshimet për veprat penale “keqpërdorim të besimit në vazhdimësi” dhe “keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.

Bashkë me të, edhe 38 të tjerë ishin arrestuar në po të njëjtën ditë gjatë aksionit të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Mazreku dyshohet se kishte transferuar para te dhjetëra qytetarë në emër të kompensimeve të dëmeve, pastaj i kishte takuar të njëjtit e nga ta kishte përfituar shuma të majma parash cash.

Periudha në të cilën dyshohet se Mazreku i kishte kryer këto veprime ishte korrikut i vitit 2022 deri në tetor të vitit 2023.

Dëmi i përgjithshëm që i është shkaktuar Byrosë së Sigurimeve konsiderohet të jetë mbi 1 milionë e 40 mijë euro.

Një raport i auditimit të brendshëm të Byrosë së Sigurimeve, të cilin e publikoi këtë vit portali Insajderi, kishte zbuluar një skemë të punësimeve ilegale në periudhën e udhëheqjes së Mazrekut me BKS-në.

Sipas këtij raporti, 67 personave ishin punësuar pa përfillur asnjë procedurë konkurruese gjatë periudhës 2019–2023. Sipas raportit, 20 prej tyre janë punonjës administrativë, ndërsa 47 janë operatorë/koordinatorë në pikat kufitare. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci