Tre shtetas të Kosovës vdiqën të dielën si pasojë e një aksidenti trafiku në pikëkalimin kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në afërsi të pikës kufitare në Bllacë, në drejtim të Shkupit, ku u gjet edhe automjeti me të cilin u aksidentuan tre kosovarët.
Një automjet i tipit Mercedes, me targa gjermane, përfundoi në humnerë.
Brenda automjetit ndodheshin Ejup dhe Cenet Tërnava, si dhe Fatmire Shabani.
Rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
“Menjëherë pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur, një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre është konfirmuar nga një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore”, thuhet në njoftim.
MPB ka bërë të ditur se më herët, në orën 13:40, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në Stacionin Policor Bit Pazar se tre persona ishin zhdukur. Kontakti i fundit me ta ishte realizuar më 18 korrik 2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit.
Personat që kanë vdekur janë nga Vushtrria.
Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, ka ngushëlluar familjet Tërnava dhe Shabani.
