Kërkesën për ta fshirë nga regjistri i institucioneve shëndetësore në vitin 2021 e kishte dorëzuar vetë Paunoviq, tregojnë dokumentet e analizuara nga Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, ajo vazhdoi të merrte pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, kur u emërua ministre.
Kjo dëshmohet nga deklarimet e të ardhurave dhe pasurisë që vetë Paunoviq i ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.
Dorëzimi i këtyre deklarimeve është detyrim ligjor për zyrtarët publikë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë, Zyra për Kosovën në këtë qeveri, Fondi Republikan për Sigurime Shëndetësore, si dhe ministritë përgjegjëse për institucionet shtetërore shëndetësore nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me të ardhurat e Paunoviqit dhe funksionin e saj në një institucion që ka pushuar së ekzistuari.
Përgjigje nuk dha as kabineti i ministres Paunoviq, e cila nxiti reagime të ashpra në rajon dhe në Bashkimin Evropian pasi deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.
Më pas, ajo pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit, por shtoi se qëndron pas çdo fjale të thënë.
E vetmja gjë që do të ndryshonte, sipas saj, do të ishte përdorimi i termit “dëbim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur, siç u shpreh, linçimin publik.
Paunoviq u kërkoi falje presidentit dhe kryeministrit të Serbisë për reagimet që shkaktoi deklarata e saj, por jo shqiptarëve të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e shpallën atë person të padëshirueshëm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e saj nuk pasqyron qëndrimin e autoriteteve në Beograd.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur përgjigje ndaj kërkesave të një pjese të opozitës serbe për shkarkimin e saj. /REL
