Lëvizja Vetëvendosje duhet ta shqyrtojë mundësinë e një marrëveshjeje me Partinë Demokratike për t’i formuar institucionet dhe për shmangur zgjedhjet, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike. Ndërsa përçarjet e brendshme në partitë opozitare, sipas tyre, krijojnë rrethana më të favorshme për Vetëvendosjen.
Përderisa negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike janë pezulluar, njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se partia fituese duhet të shqyrtojë edhe alternativa të tjera për formimin e institucioneve.
Sipas analistit Basri Muja, në rast të dështimit të një marrëveshjeje eventuale mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, partia e parë duhet të tentojë ta gjejë konsensusin me partinë e dytë.
“Në këtë kontekst unë mendoj që duhet të ketë takime dhe përpjekje edhe me PDK-në në mënyrë që të arrihet një konsensus sa më i gjerë për zgjedhjen e një presidenti konsensual i cili do të duhej të ishte sa më apartiak”, tha Muja.
Edhe analisti tjetër Fitim Gashi thotë se edhe në PDK kanë shprehur vullnet që të bëhen pjesë e një marrëveshjeje me Vetëvendosjen.
“Brenda PDK-së janë dëgjuar zëra së fundi, që kanë folur edhe publikisht për nevojën e shqyrtimit të një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa AAK-ja tashmë veçse ka shprehur gatishmërinë për dhënien e votave nëse qeveria e ardhshme angazhohet për prioritete të caktuara programore. Prandaj, është e rëndësishme që të shmangen lojërat politike dhe logjika e tentimit të hedhjes së përgjegjësisë”, tha Gashi.
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se partia do të qëndrojë në opozitë. Por nuk e përjashtoi mundësinë për një marrëveshje për presidentin.
Javën e shkuar LVV-ja dhe LDK-ja janë pajtuar në parim për formimin e institucioneve dhe ndarjen e pozitave, por që ky dakordim po mbahet peng nga pakënaqësitë e anëtarësisë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Por pasi janë dorëzuar nënshkrimet e delegatëve të kuvendit të partisë të mbledhura me qëllim shkarkimin e tij, Abdixhiku i pezulloi negociatat.
E përplasjet brenda partive deri tash opozitare i shkojnë për shtati LVV-së, thotë njohësi i zhvillimeve politike, Afrim Kasolli.
“Jemi në një gjendje pos që tashmë subjektet opozitare kanë dallime si parti me njëra tjetrën se si duhet t’i qasen skenarit për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, por janë të përçara edhe nga brenda. E gjë që unë konsideroj që është një momentum i favorshëm për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në fund do të thotë, ajo mund të mos ketë interes të bëjë koalicion me asnjërën prej tyre por vetëm ta përfitojë edhe më tepër përçarjen e tyre të brendshme për ta krijuar terrenin e favorshëm elektoral për vete për zgjedhjet kurdo që mbahen”, tha Kasolli.
Dy ditë pas certifikimit të rezultateve, kryeministri në detyrë Albin Kurti mbajti takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike Bedri Hamza dhe atë të LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili shkoi bashkë me Vjosa Osmanin, e kryetari i Aleancës, Ardian Gjini refuzoi të takohet.
Prej atëherë, liderët partiakë nuk janë takuar më./koha
