Shqiptarët dyshohen se po i drejtojnë aktivitetet e tyre kriminale nga burgu, pasi të dhënat zyrtare tregojnë se ata kanë bërë më shumë se dyfishin e telefonatave nga burgjet krahasuar me çdo kombësi tjetër, raporton The Telegraph. Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë kanë zbuluar se të burgosurit shqiptarë kanë kryer 157,962 telefonata nga burgu gjatë gjashtë muajve të fundit, që është e barabartë me gati 900 telefonata në ditë.
Shqiptarët janë kombësia e huaj më e madhe për nga numri i të burgosurve në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, me më shumë se 1,200 të burgosur, të ndjekur nga polakët dhe rumunët. Sipas të dhënave të shërbimit të burgjeve, numri i telefonatave të bëra nga të dënuarit shqiptarë ishte katër herë më i madh se numri i telefonatave të bëra përkatësisht nga polakët dhe rumunët. Polakët, të cilët përbëjnë 740 të burgosur, bënë 209 telefonata në ditë (gjithsej 37,691), ndërsa rumunët, me 708 të burgosur, bënë 207 telefonata në ditë (gjithsej 37,307). Numri i dytë më i lartë në total ishte ai i 73,541 telefonatave të bëra nga 678 të burgosur nga Irlanda, të ndjekur nga 57,867 telefonata të bëra nga 68 amerikanë.
Jashtëzakonisht joproporcionale
Prof. Ian Acheson, ish-guvernator burgu dhe ish-këshilltar i qeverisë për ekstremizmin në burgje, tha se numri i telefonatave nga të burgosurit shqiptarë dukej “jashtëzakonisht joproporcional”.
“Ne e dimë se krimi i organizuar shqiptar dominon shpërndarjen e drogës brenda burgjeve. Sa shtrirje kanë ata jashtë burgut është më pak e qartë, por nuk do të ishte e habitshme nëse ata janë vazhdimisht në telefonat e tyre duke organizuar marrëveshje. Nuk është e paarsyeshme të sugjerohet se ekziston një lidhje mes këtyre gjërave”, tha ai.
Kriminelët shqiptarë kryesisht janë burgosur për vepra penale që lidhen me drogën ose vjedhjet. Ata janë specializuar në kultivimin e kanabisit, gjë që u ka mundësuar të zëvendësojnë vietnamezët si furnizuesit kryesorë vendas të kësaj droge në Britani, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA). Bandat shqiptare, të cilat më parë ishin specializuar në kokainë, kaluan te kanabisi sepse ai ishte “me rrezik shumë, shumë të ulët”. Kanabisi sjell fitime të konsiderueshme për shkak të kërkesës së lartë, britanikët konsumojnë 240 tonë të kësaj droge në vit, me një vlerë prej 2.4 miliardë paundësh dhe nuk kërkon transport të rrezikshëm ndërkufitar, pasi kultivohet brenda vendit.
Rritja e numrit të shqiptarëve që kaluan Kanalin në vitin 2022, kur 12,685 persona arritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, ka siguruar një burim të gatshëm punëtorësh të paligjshëm, të aftë në teknologjinë hidroponike të nevojshme për të rritur bimët në dhomat e errësuara të shtëpive, ku të gjitha dritaret janë mbyllur.
Ai thekson se jo të gjitha kombësitë paraqesin të njëjtin rrezik kriminal.
“Vetëm shqiptarët janë përgjegjës për më shumë telefonata ndërkombëtare nga burgjet sesa SHBA-të, Kanadaja, Japonia, Italia, Gjermania dhe Franca të marra së bashku. Edhe afganët, irakianët dhe pakistanezët përbëjnë një numër joproporcional”, shtoi ai.
10 shtetet me numrin më të lartë të telefonatave ishin: Shqipëria (157,962), Irlanda (73,541), SHBA-ja (57,867), Polonia (37,691), Rumania (37,307), Franca (33,844), India (32,581), Spanja (30,668), Italia (28,110) dhe Gjermania (27,278). Telefonatat lejohen nga telefonat e burgut, por numrat duhet të miratohen paraprakisht. Telefonatat mund të monitorohen kur zyrtarët e burgut besojnë se mund të ekzistojë rrezik për veprimtari kriminale.
