Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë në fillim të muajit gusht, pak para skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht 2026. Shtyrja e seancës konstituive është bërë për t’u dhënë më shumë kohë partive politike që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, formimin e qeverisë dhe hapat e mëtejshëm institucionalë. Megjithatë, deri më tani nuk është arritur ndonjë pajtim konkret mes subjekteve politike.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetja Labinotë Demi-Murtezi është shprehur se Kuvendi do të funksionalizohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se për çështjet e tjera politike ende nuk është koha të jepen më shumë detaje.
Në anën tjetër, ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka kritikuar vonesat, duke vlerësuar se situata politike ka mbetur e pandryshuar prej vitesh për shkak të mungesës së përgjegjësisë politike. Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e shtyn thirrjen e seancës konstituive në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që i përshtatet interesave të tij dhe të partisë së tij.
Edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka deklaruar se partia e tij nuk ka informacione konkrete për datën e seancës konstituive dhe se duhet pritur zhvillimet e javëve të ardhshme. Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka vlerësuar se nuk ka pasur angazhim serioz për tejkalimin e ngërçit politik, duke theksuar se përveç disa takimeve formale nuk është shënuar ndonjë përparim.
Në përgjithësi, situata politike mbetet e paqartë dhe vëmendja është përqendruar te ditët në vijim, kur pritet të shihet nëse partitë do të arrijnë një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, apo vendi do të përballet me një tjetër bllokadë institucionale./FO
