SPAK përfundoi hetimet për një tjetër fraksion të dosjes “Metamorfoza” dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj disa personazheve të konsideruar si bosë të krimit.
Listën e të pandehurve e kryeson Ervis Martinaj, i konsideruar si mbreti i kumarit, edhe pse ai rezulton i zhdukur pa gjurmë prej 4 vitesh. Lista pasohet nga Aleks Ndreka, i njohur si Leksi i Druve, i cili u ka mbijetuar disa atentateve, si dhe Prekë Kodra, i njohur si snajperisti.
I pandehur është marrë edhe Bardhyl Mavraj, vëllai i Safet Bajrit, ky i fundit i konsideruar si i forti i Dobraçit.
Prokurorët e posaçëm i akuzojnë të pandehurit për vrasjen e Gjin Boriçit Ndojit në Vaun e Dejës, krijimin e kushteve për të kryer vrasjen e Ibrahim Licit dhe dy miqve të tij, Dorian Duli e Genc Tafili, si dhe krijimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, këtë të fundit për llogari të investitorit strategjik dhe biznesmenit të arrestuar Pëllumb Gjoka.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat: “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”; si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në kuadër të dosjes së koduar “Metamorfoza” janë arrestuar ose është ngritur akuzë edhe për personazhe të tjerë të botës së krimit, disa prej të cilëve janë duke u gjykuar në GJKKO, ndërsa të tjerë vijojnë të jenë nën hetim.
Të pandehur:
Ervis Martinaj
Denis Brajoviq
Klaodor Hakaj
Prekë Kodra
Aleks Ndreka, i njohur si Leksi i Druve
Nuredin Dumani
Eljon Hato
Arsad Bashli
Bardhyl Mavraj
