Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se 16 vjet më parë për Kosovën ishte një ditë historike dhe një fitore e madhe që forcoi legjitimitetin ndërkombëtar të kësaj të fundit.
Kjo, pasi që 16 vjet më parë Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Hamza, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se pavarësisht kësaj gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Kosova po përballet me një realitet shqetësues: procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të shtetit, ngecjen në procesin e njohjeve të reja, vështirësitë në integrimin ndërkombëtar dhe përkeqësimin e raporteve me aleatët tanë.
Postimi i tij i plotë:
Sot u bënë 16 vjet nga Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ishte një ditë historike për vendin tonë dhe një fitore e madhe që forcoi legjitimitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ky vendim rikonfirmoi se rruga jonë drejt lirisë dhe pavarësisë ishte e drejtë dhe në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Kosova po përballet me një realitet shqetësues: procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të shtetit, ngecjen në procesin e njohjeve të reja, vështirësitë në integrimin ndërkombëtar dhe përkeqësimin e raporteve me aleatët tanë.
Vendit tonë i nevojitet një lidership që ndërton dhe forcon aleancat, mbron interesat shtetërore dhe sjell rezultate konkrete për qytetarët tanë.
Obligimi ynë është ta mbrojmë dhe ta fuqizojmë shtetin tonë për brezat që sot dhe nesër do të jetojnë në të.
