Të fundit

Kapen më shumë se 10 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë, Dogana konfiskon 25 për qind të tyre

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë konfiskuar 25 për qind të mjeteve monetare të padeklaruara, të zbuluara gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur më 22 korrik, kur një automjet me targa vendore është ndaluar për kontroll në hyrje të Republikës së Kosovës. Automjeti kishte ngjallur dyshime për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën ishte paraqitur në pikën kufitare.

Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që i nënshtroheshin deklarimit. Megjithatë, pas një kontrolli të detajuar të kryer mbi bazën e analizës së rrezikut, zyrtarët doganorë kanë gjetur mjete monetare që tejkalonin kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh, të cilat nuk ishin deklaruar.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Dogana ka konfiskuar 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa për pjesën e mbetur ka kërkuar dokumentacion dhe dëshmi që vërtetojnë origjinën e ligjshme të mjeteve.

Rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore dhe do t’i nënshtrohet shqyrtimit të mëtejshëm administrativ dhe ligjor.

Dogana e Kosovës rikujton se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, në para të gatshme apo mjete të tjera monetare të bartshme, është i obliguar t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore. Mosdeklarimi përbën shkelje të ligjit dhe mund të sjellë konfiskim të pjesshëm të mjeteve si dhe procedura të mëtejshme për verifikimin e origjinës së tyre.

Sipas Doganës, institucioni mbetet i përkushtuar në luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar ndërkufitar, përmes zbatimit të legjislacionit në fuqi.

 

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci