Shkruan: Eshref Shabani
Për të kuptuar pse kjo mënyrë e qeverisjes, sipas bindjes sime, është e dëmshme për Republikën e Kosovës, duhet të kthehemi te mënyra se si është ndërtuar vetë shteti i Kosovës dhe te kompromiset politike e juridike mbi të cilat është ngritur rendi i saj kushtetues.
Gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës në vitet 2006–2007, të udhëhequra nga Presidenti finlandez Martti Ahtisaari, i mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, delegacioni i Kosovës përfaqësohej nga Grupi i Unitetit, ku ishin të përfshirë pothuajse të gjithë akterët kryesorë politikë të kohës.
Një ndër temat më të ndjeshme të atyre negociatave ishte decentralizimi i pushtetit dhe krijimi i komunave me shumicë serbe, si mekanizëm për garantimin e të drejtave të komunitetit serb në shtetin e ardhshëm të Kosovës. Qëllimi ishte që këtij komuniteti t’i garantohej ruajtja e identitetit kombëtar, kulturor, gjuhësor, fetar, arsimor dhe social, si dhe ofrimi i shërbimeve publike sa më afër vendbanimeve të tij.
Pas negociatave të gjata, të vështira dhe shpesh pa rrugëdalje, të mbështetura fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, u hartua Plani Gjithëpërfshirës i Ahtisaarit, mbi të cilin më pas u ndërtua Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk mund të lexohet si çdo kushtetutë tjetër. Ajo është rezultat i një kompromisi politik dhe ndërkombëtar, i cili kishte për qëllim njëkohësisht njohjen e shtetit të ri dhe garantimin kushtetues të të drejtave të komuniteteve joshumicë, me theks të veçantë komunitetit serb.
Në terminologjinë juridike, kjo është një kushtetutë me dispozita të ngurta, të cilat nuk mund të ndryshohen vetëm me vullnetin e shumicës parlamentare. Ato përbëjnë vetë bazën mbi të cilën është ndërtuar rendi kushtetues i Republikës së Kosovës.
Kjo filozofi kushtetuese shprehet që në Preambulën e Kushtetutës, ku thuhet:
“Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet; Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.”
Vlen të theksohet se, ndryshe nga shumë kushtetuta të shteteve kombëtare, Preambula e Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk e përkufizon Kosovën si shtet të shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera, por si shtet të të gjithë qytetarëve të saj. Kjo nuk është rastësi. Ishte një zgjedhje e vetëdijshme e hartuesve të arkitekturës kushtetuese, me qëllim që barazia e qytetarëve të vendosej si parim themelor i shtetit.
Ky parim konkretizohet më tej në nenin 3 të Kushtetutës, sipas të cilit:
“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.”
Ky nen nuk ka karakter vetëm deklarativ. Ai përbën një nga themelet mbi të cilat ndërtohet organizimi kushtetues i Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën frymë, neni 5 i Kushtetutës përcakton se gjuhë zyrtare të Republikës së Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe. Kjo do të thotë se statusi kushtetues i gjuhës serbe nuk buron nga një ligj i zakonshëm, por nga vetë Kushtetuta.
Për ta kuptuar më mirë këtë standard kushtetues, mjafton të bëjmë një krahasim me shtetet e rajonit.
Për shembull, në Maqedoninë e Veriut çështja e përdorimit të gjuhës shqipe vazhdon të rregullohet përmes ligjeve dhe debateve politike, ndërsa në Republikën e Kosovës statusi i gjuhës serbe është i garantuar drejtpërdrejt nga Kushtetuta.
Një rëndësi të veçantë ka edhe Kapitulli III i Kushtetutës, i cili trajton ekskluzivisht të drejtat e komuniteteve.
Neni 57 përcakton se pjesëtarët e komuniteteve, përveç të drejtave dhe lirive themelore të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës, gëzojnë edhe të drejta të veçanta të garantuara nga vetë Kushtetuta.
Kjo do të thotë se komunitetet në Republikën e Kosovës nuk trajtohen vetëm sipas standardeve të përgjithshme të të drejtave të njeriut, por gëzojnë edhe mekanizma shtesë kushtetues, të cilët janë pjesë përbërëse e kompromisit mbi të cilin është ndërtuar shteti.
Sipas bindjes sime, pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i debatit aktual. Çdo analizë politike apo juridike mbi funksionimin e institucioneve të Kosovës duhet të nisë nga ky realitet kushtetues dhe jo nga preferencat politike të shumicës së radhës.
Për të kuptuar pse kjo arkitekturë kushtetuese nuk mund të anashkalohet nga asnjë shumicë politike, duhet analizuar një nga dispozitat më të rëndësishme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 81, i cili rregullon të ashtuquajturin legjislacion me interes vital.
Ky nen nuk është vendosur rastësisht në Kushtetutë. Ai është rezultat i drejtpërdrejtë i kompromisit të arritur gjatë procesit të statusit dhe synon të garantojë se çështjet që prekin identitetin, pozitën juridike dhe të drejtat e komuniteteve nuk mund të vendosen vetëm me vullnetin e shumicës parlamentare.
Neni 81 përcakton se për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve që kanë të bëjnë me çështje të interesit vital kërkohet jo vetëm shumica e deputetëve të Kuvendit, por edhe shumica e deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë. Në doktrinën kushtetuese kjo njihet si parimi i shumicës së dyfishtë, një mekanizëm mbrojtës që kufizon fuqinë e shumicës politike në çështjet që prekin drejtpërdrejt komunitetet.
Në mesin e këtyre ligjeve bëjnë pjesë:
● organizimi dhe kompetencat e komunave;
● ndryshimi i kufijve komunalë;
● të drejtat e komuniteteve;
● përdorimi i gjuhëve;
● zgjedhjet lokale;
● mbrojtja e trashëgimisë kulturore;
● liritë fetare;
● arsimi;
● përdorimi i simboleve dhe festat publike.
Po aq domethënës është edhe paragrafi 2 i nenit 81, sipas të cilit asnjë ligj me interes vital nuk mund t’i nënshtrohet referendumit. Kjo dispozitë dëshmon se kushtetutëbërësi ka dashur t’i mbrojë këto çështje jo vetëm nga shumica parlamentare, por edhe nga shumica popullore.
Në praktikë, kjo do të thotë se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi një model kushtetues ku mbrojtja e komuniteteve nuk varet nga vullneti politik i një qeverie apo i një shumice të përkohshme parlamentare, por nga vetë Kushtetuta.
Për këtë arsye, shumica e ligjeve që lidhen me decentralizimin, vetëqeverisjen lokale, përdorimin e gjuhëve, trashëgiminë kulturore dhe organizimin institucional të komunave me shumicë serbe janë miratuar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, duke zbatuar drejtpërdrejt Planin e Ahtisaarit.
Këto ligje nuk janë produkte të zakonshme të procesit legjislativ. Ato përfaqësojnë bazën juridike të kompromisit ndërkombëtar mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërhyrje që cenon ekuilibrin kushtetues të vendosur nga këto dispozita duhet të analizohet me kujdes të shtuar. Nuk është fjala vetëm për respektimin formal të ligjit, por për ruajtjen e arkitekturës kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar vetë Republika e Kosovës.
Në këtë kontekst duhet parë edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Pas shpalljes së pavarësisë, një nga sfidat më të mëdha ishte integrimi i strukturave të drejtësisë në pjesën veriore të vendit. Për këtë arsye u arrit Marrëveshja e Parë e Brukselit e vitit 2013, ndërsa në vitin 2015 u nënshkrua Marrëveshja për Drejtësinë, e cila parashihte integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në sistemin unik të drejtësisë së Republikës së Kosovës.
Qëllimi i këtyre marrëveshjeve nuk ishte të shpërblenin strukturat paralele, por t’i shuanin ato duke i integruar në rendin juridik kushtetues të Republikës së Kosovës.
Përmes këtij procesi u krijua një sistem unik gjyqësor dhe prokurorial që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët ushtrojnë funksionin e tyre duke u betuar para institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ky ishte një nga sukseset më të rëndësishme të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, sepse për herë të parë sistemi i drejtësisë në veri u integrua në rendin kushtetues të Kosovës.
Pikërisht në këtë kontekst duhet analizuar edhe zhvillimi i fundit lidhur me prokurorët serbë që kishin paraqitur kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre dhe rikthimin në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.
Çështja nuk duhet parë vetëm nga këndvështrimi politik apo emocional. Ajo duhet vlerësuar para së gjithash në raport me frymën e Kushtetutës, me detyrimet që burojnë nga Kapitulli III i saj dhe me obligimet që Republika e Kosovës ka marrë përsipër në procesin e dialogut.
Në këtë pikë lind pyetja thelbësore: a mund të trajtohet çështja e rikthimit ose mosrikthimit të prokurorëve serbë vetëm si një vendimmarrje administrative e Këshillit Prokurorial të Kosovës, apo ajo ka edhe dimension kushtetues dhe ndërkombëtar?
Sipas bindjes sime, kjo çështje nuk mund të reduktohet në një procedurë të zakonshme administrative. Ajo duhet të analizohet në raport me arkitekturën kushtetuese të Republikës së Kosovës, me frymën e Planit të Ahtisaarit dhe me marrëveshjet ndërkombëtare që kanë mundësuar integrimin e sistemit të drejtësisë në veri të vendit.
Është e vërtetë se prokurorët dhe gjyqtarët serbë që kishin dhënë dorëheqje ishin pjesë e një procesi politik të organizuar nga Beogradi dhe se ky veprim shkaktoi pasoja serioze për funksionimin e institucioneve në veri të Republikës së Kosovës. Po aq e vërtetë është se askush nuk mund të pretendojë se strukturat paralele kanë qenë në shërbim të rendit kushtetues të Kosovës.
Megjithatë, pikërisht për shkak se Republika e Kosovës është shtet i së drejtës, reagimi institucional duhet të mbështetet gjithmonë në Kushtetutë dhe në ligj, e jo vetëm në logjikën e kundërpërgjigjes politike.
Në këtë kontekst duhet lexuar edhe neni 109 paragrafi 4 i Kushtetutës, i cili përcakton se:
“Prokurori i Shtetit pasqyron përbërjen shumetnike të Republikës së Kosovës dhe respekton parimet e barazisë gjinore.”
Ky nuk është një objektiv politik, por një standard kushtetues që duhet të reflektohet në organizimin e sistemit prokurorial.
Po kështu, neni 103 i Kushtetutës, që rregullon organizimin e gjykatave, parashikon se të paktën 15% e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të gjykatave të nivelit të apelit duhet të jenë nga radhët e komuniteteve joshumicë. Ndërsa neni 108, që rregullon përbërjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, garanton pjesëmarrjen e komuniteteve joshumicë edhe në organin që administron sistemin gjyqësor.
Kur këto dispozita lexohen së bashku me Kapitullin III të Kushtetutës, bëhet e qartë se përfaqësimi i komuniteteve në sistemin e drejtësisë nuk është një çështje fakultative, por pjesë e vetë modelit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë përfaqësim duhet të analizohen jo vetëm nga këndvështrimi i ligjit procedural, por edhe në raport me detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të shtetit.
Sipas mendimit tim, këtu qëndron edhe shqetësimi kryesor.
Nëse institucionet e Kosovës krijojnë përshtypjen se po largohen nga modeli kushtetues mbi të cilin është ndërtuar shteti, atëherë pasojat nuk mbeten vetëm në planin e brendshëm. Ato reflektohen edhe në marrëdhëniet me partnerët strategjikë që kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e institucioneve të saj.
Nuk duhet harruar se Plani i Ahtisaarit, procesi i decentralizimit dhe integrimi i sistemit të drejtësisë në veri nuk kanë qenë kërkesa të njëanshme të Serbisë. Ato kanë qenë pjesë e paketës mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës dhe që është mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Për këtë arsye, sa herë që krijohet përshtypja se këto garanci po zbehen ose po interpretohen në mënyrë restriktive, është e pritshme që partnerët ndërkombëtarë të reagojnë dhe të kërkojnë respektimin e obligimeve që burojnë nga Kushtetuta dhe nga marrëveshjet e arritura gjatë dialogut.
Kjo nuk do të thotë se Republika e Kosovës duhet të tolerojë veprime që cenojnë sovranitetin e saj apo të pranojë funksionimin e strukturave paralele. Përkundrazi, shteti ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë rendin e vet kushtetues.
Por po aq e rëndësishme është që kjo të bëhet duke respektuar standardet kushtetuese që vetë Republika e Kosovës ka pranuar me shpalljen e pavarësisë dhe me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së saj.
Pikërisht ky dallim e veçon shtetin e së drejtës nga vendimmarrja e motivuar vetëm nga rrethanat politike të momentit.
Pikërisht në këtë kontekst duhet të analizohet edhe vendimi i fundit i Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistemin prokurorial të disa prokurorëve serbë.
Që në fillim dua të sqaroj se ky debat nuk duhet të reduktohet në pyetjen nëse ata prokurorë janë apo nuk janë lojalë ndaj Republikës së Kosovës. Është e njohur se një pjesë e tyre kanë qenë pjesë e strukturave që në të kaluarën kanë vepruar jashtë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe se dorëheqjet e tyre kanë qenë rezultat i një vendimi politik të Beogradit. Kjo nuk është çështja që po shtroj në këtë analizë.
Pyetja juridike është krejt tjetër: a është trajtuar kjo situatë në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me obligimet që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare mbi të cilat është ndërtuar integrimi i sistemit të drejtësisë?
Sipas bindjes sime, pikërisht këtu fillojnë dilemat serioze.
Republika e Kosovës nuk është ndërtuar mbi logjikën e hakmarrjes politike ndaj komuniteteve, por mbi logjikën e integrimit të tyre në institucionet kushtetuese të shtetit. Ky ishte një nga qëllimet themelore të Planit të Ahtisaarit dhe, më vonë, i Marrëveshjes së Brukselit për drejtësinë.
Për këtë arsye, çdo vendim institucional që prek përfaqësimin e komuniteteve në sistemin e drejtësisë duhet të jetë jo vetëm ligjërisht i mbështetur, por edhe në përputhje me filozofinë kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
Kjo nuk do të thotë se çdo kërkesë për rikthim duhet të pranohet automatikisht.
Çdo rast duhet të vlerësohet individualisht, në bazë të ligjit dhe kritereve profesionale. Por, në të njëjtën kohë, institucionet duhet të kenë parasysh se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është ndërtuar vetëm mbi parimin e profesionalizmit, por edhe mbi parimin e përfaqësimit shumetnik, të garantuar nga Kushtetuta.
Në këtë aspekt, është me rëndësi të rikujtohet edhe neni 58 i Kushtetutës, sipas të cilit Republika e Kosovës ka detyrimin të promovojë frymën e tolerancës, dialogut dhe pajtimit ndërmjet komuniteteve, si dhe të krijojë kushtet për pjesëmarrjen efektive të tyre në jetën publike.
Po kështu, neni 61 kërkon që komunitetet joshumicë të kenë përfaqësim të drejtë në institucionet publike dhe në administratën shtetërore.
Kur këto dispozita lexohen së bashku me nenin 109 paragrafi 4, bëhet e qartë se përfaqësimi shumetnik në sistemin prokurorial nuk është një zgjedhje politike e radhës, por një standard kushtetues.
Prandaj, sipas mendimit tim, vendime të kësaj natyre nuk duhet të analizohen vetëm nga prizmi i procedurës administrative apo disiplinore. Ato duhet të analizohen edhe në raport me efektet që prodhojnë mbi ekuilibrin kushtetues të ndërtuar pas shpalljes së pavarësisë.
Kjo është arsyeja pse reagimet e partnerëve ndërkombëtarë nuk duhen parë thjesht si ndërhyrje politike në punët e brendshme të Kosovës. Përkundrazi, ato burojnë nga fakti se vetë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë garantuesit kryesorë të modelit kushtetues mbi të cilin është ndërtuar Republika e Kosovës.
Nëse një pjesë e këtij modeli fillon të zbehet ose të interpretohet në mënyrë të ndryshme nga ajo që ishte parashikuar në procesin e statusit, është e natyrshme që shtetet që kanë mbështetur këtë proces të kërkojnë respektimin e obligimeve të marra.
Kjo nuk duhet parë si cenim i sovranitetit të Republikës së Kosovës. Përkundrazi, është pasojë e faktit se vetë shteti i Kosovës është ndërtuar mbi një kompromis kushtetues që ka pasur mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, debati nuk është nëse dikush është pro apo kundër komunitetit serb. Debati është nëse institucionet e Republikës së Kosovës po veprojnë në harmoni me arkitekturën kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar vetë shteti.
Kjo është pyetja që, sipas mendimit tim, duhet të marrë përgjigje para çdo vlerësimi politik.
Sipas bindjes sime, problemi nuk qëndron vetëm te një vendim i veçantë institucional. Shqetësimi kryesor lidhet me mënyrën se si po ndërtohet raporti i Republikës së Kosovës me partnerët e saj strategjikë dhe me perceptimin që po krijohet për respektimin e obligimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare të shtetit.
Republika e Kosovës nuk u ndërtua në izolim. Pavarësia e saj u mbështet politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet kryesore të Bashkimit Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Për këtë arsye, marrëdhëniet me këta partnerë nuk mund të trajtohen si një element dytësor i politikës shtetërore, por si një interes strategjik i përhershëm.
Pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim që krijon tensione të panevojshme me partnerët strategjikë duhet të analizohet me seriozitet. Nëse partnerët ndërkombëtarë vlerësojnë se Kosova po largohet nga obligimet që burojnë nga Kushtetuta, nga Plani i Ahtisaarit ose nga marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, atëherë pasojat nuk mbeten vetëm në planin diplomatik. Ato ndikojnë edhe në pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Sipas vlerësimit tim, disa zhvillime të viteve të fundit tregojnë se raportet me partnerët strategjikë kanë kaluar periudha të vështira.
Debatet rreth dialogut me Serbinë, masat kufizuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës dhe kritikat e përsëritura nga partnerët ndërkombëtarë për çështje që lidhen me veriun e vendit kanë krijuar një klimë që nuk i shërben interesit afatgjatë të Republikës së Kosovës.
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të analizojë përgjegjësinë politike për secilin prej këtyre zhvillimeve. Megjithatë, është e pamundur të mohohet se marrëdhëniet me partnerët strategjikë kanë pësuar lëkundje, ndërsa kjo duhet të shqetësojë çdo qytetar që e sheh të ardhmen e Kosovës të lidhur me integrimin euroatlantik.
Sipas mendimit tim, politika e jashtme e Republikës së Kosovës duhet të ndërtohet mbi një parim të thjeshtë: në çështjet që prekin orientimin strategjik të shtetit duhet të ekzistojë një konsensus kombëtar, pavarësisht se kush e ushtron pushtetin.
Ka tema që duhet të jenë mbi konkurrencën e përditshme politike. Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një prej tyre. Bashkëpunimi me Bashkimin Evropian është një tjetër. Po kështu, respektimi i rendit kushtetues dhe i obligimeve ndërkombëtare nuk duhet të jetë objekt interpretimesh të ndryshme sa herë ndryshon shumica qeverisëse.
Në këtë kuptim, nuk po argumentoj se Republika e Kosovës duhet të heqë dorë nga mbrojtja e sovranitetit të saj apo të pranojë kërkesa që bien ndesh me Kushtetutën. Përkundrazi, mbrojtja e sovranitetit është detyrim kushtetues i çdo institucioni shtetëror.
Por sovraniteti nuk matet vetëm me retorikë politike. Ai matet edhe me aftësinë e shtetit për të ndërtuar aleanca të qëndrueshme, për të ruajtur besimin e partnerëve strategjikë dhe për të zbatuar me seriozitet obligimet që vetë shteti ka marrë përsipër.
Nëse një qeveri arrin të krijojë bindjen se Kosova është partnere e besueshme, respekton Kushtetutën dhe vepron në harmoni me aleatët e saj, atëherë ajo e forcon pozitën ndërkombëtare të Republikës. Nëse ndodh e kundërta, pasojat zakonisht nuk i bart vetëm qeveria e radhës, por i bart vetë shteti.
Pikërisht për këtë arsye konsideroj se disa vendime të viteve të fundit duhej të ishin peshuar me më shumë kujdes, duke marrë parasysh jo vetëm efektin e tyre të menjëhershëm politik, por edhe ndikimin që mund të kenë në marrëdhëniet afatgjata të Republikës së Kosovës me aleatët e saj strategjikë.
Në fund të fundit, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve demokratike.
Ajo që mbetet e pandryshuar duhet të jetë interesi shtetëror i Republikës së Kosovës. Pikërisht ky interes kërkon që raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian të ruhen me kujdes, sepse ato kanë qenë dhe mbeten shtyllat kryesore të mbështetjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
Deri në këtë pikë jam përpjekur ta trajtoj çështjen kryesisht nga këndvështrimi kushtetues.
Për këtë arsye, dua të sqaroj se kritika ime nuk buron nga fakti se një subjekt i caktuar politik ndodhet në pushtet.
Në të kaluarën kam pasur qëndrime kritike edhe ndaj qeverive të tjera, veçanërisht ndaj Qeverisë Thaçi II, sepse kam vlerësuar se në disa fusha të qeverisjes së brendshme kishte humbur kontrolli institucional dhe ishin krijuar probleme serioze në funksionimin e shtetit.
Prandaj, ky shkrim nuk duhet të lexohet si një mbështetje për një subjekt politik dhe kundërshtim ndaj një tjetri. Qëndrimi im ka qenë i njëjtë ndaj çdo qeverie kur kam vlerësuar se vendimet e saj nuk kanë qenë në përputhje me interesin afatgjatë të Republikës së Kosovës.
Po kështu, nuk mohoj se edhe qeverisja aktuale ka ndërmarrë veprime që një pjesë e qytetarëve i konsiderojnë pozitive. Në një sistem demokratik është qytetari ai që jep vlerësimin përmes votës. Nëse shumica e qytetarëve janë të kënaqur me mënyrën e qeverisjes, kjo është një zgjedhje që duhet respektuar.
Megjithatë, shqetësimi im nuk lidhet me politikat e zakonshme të qeverisjes, si ekonomia, administrata, infrastruktura apo çështje të tjera të debatit të përditshëm politik. Këto janë fusha ku qeveritë vijnë dhe ikin, ndërsa qytetarët vendosin periodikisht nëse i shpërblejnë ose i ndëshkojnë me votë.
Shqetësimi im fillon atëherë kur vendimet politike prekin elemente që lidhen me vetë arkitekturën kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe me partneritetet strategjike mbi të cilat është ndërtuar shteti.
Sipas bindjes sime, këto nuk janë çështje që duhet të ndryshojnë sa herë ndryshon shumica parlamentare.
Pikërisht për këtë arsye mendoj se raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë mbi çdo interes të përkohshëm politik. Historia e Kosovës dëshmon se pa mbështetjen amerikane rruga drejt lirisë dhe pavarësisë do të kishte qenë shumë më e vështirë.
Prandaj, çdo qeveri duhet të ketë disa parime që nuk i vendos në diskutim politik. Një ndër to është ruajtja dhe forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në.
Kjo nuk nënkupton nënshtrim ndaj askujt, por vetëdije se interesat strategjike të Republikës së Kosovës nuk mund të trajtohen si çështje të politikës ditore.
Në të njëjtën mënyrë, edhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian duhet të ndërtohen mbi dialog dhe bashkëpunim, pavarësisht mosmarrëveshjeve që mund të lindin për çështje të caktuara.
Nga ky këndvështrim, besoj se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme që të mos krijojnë situata ku partnerët strategjikë e perceptojnë Kosovën si një shtet që largohet nga obligimet që vetë ka pranuar me Kushtetutë dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Në fund, dua të theksoj se ky shkrim nuk është shkruar për të mbrojtur apo sulmuar një subjekt të caktuar politik. Ai është shkruar nga shqetësimi se në disa raste po krijohet përshtypja se interesi afatgjatë i Republikës së Kosovës po zëvendësohet me interesa politike afatshkurtra.
Kam qenë kritik edhe ndaj qeverive të kaluara, kur kam vlerësuar se kanë gabuar në qeverisjen e vendit. Prandaj, nuk e konsideroj të drejtë që kritika të interpretohet si mbështetje për një palë politike dhe kundërshtim ndaj një pale tjetër.
Megjithatë, nuk mund të pajtohem me një mënyrë të qeverisjes që, sipas bindjes sime, krijon tensione të panevojshme me partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës për çështje që mund dhe duhet të trajtohen me më shumë maturi institucionale.
Patriotizmi nuk matet me deklarata të forta dhe as me retorikë politike. Patriotizmi matet me aftësinë për ta forcuar shtetin, për ta mbrojtur Kushtetutën dhe për ta ruajtur besimin e aleatëve që kanë qenë vendimtarë në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Një shtet serioz nuk ndërtohet mbi emocione të çastit. Ai ndërtohet mbi institucione të forta, mbi respektimin e Kushtetutës, mbi sundimin e ligjit dhe mbi partneritete strategjike të qëndrueshme.
Kjo është arsyeja pse konsideroj se, pavarësisht dallimeve politike, duhet të ekzistojnë disa tema që nuk duhet të vihen kurrë në diskutim: rendi kushtetues i Republikës së Kosovës, orientimi euroatlantik dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qeveritë ndryshojnë. Shumicat parlamentare ndryshojnë. Por Republika e Kosovës duhet të mbetet mbi çdo interes politik të përkohshëm.
