Në vitin 2024, pas një reagimi të Bashkimit Evropian, u bë publike se në takimin e 14 shtatorit 2023 mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit ishte diskutuar edhe për fatin e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.
Sipas propozimit të BE-së për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, këto struktura nuk do të vazhdonin në formën e mëparshme, por do të transformoheshin dhe do të kalonin në një mekanizëm të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës.
Pra, në dialog ishte diskutuar një proces ku strukturat serbe do të ndryshonin formë dhe do të integroheshin në një sistem të ri.
Sipas dokumentit të propozuar të BE-së për zbatimin e marrëveshjes (nenit 7 dhe 10) kërkohej “themelimi i instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës” dhe me këtë rast edhe “shpërbërja e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë dhe tranzicioni i tyre, i përshtatshëm, nën instrumentin e vetmenaxhmit për serbët e Kosovës”.
Sot, gati tri vite më vonë, debati është kthyer te gjyqtarët dhe prokurorët serbë në veri, për të cilët u.d. presidentja Albulena Haxhiu ka kërkuar të mos pranohen dorëheqjet e ofruara në vitin 2022.
Ajo, në një konferencë për media të premten, ka thënë se “një pjesë e konsiderueshme” e këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë janë paguar si pjesë e strukturave paralele serbe që nga viti 2017 deri më sot.
U.d. presidentja Haxhiu ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të ndjekë shembullin e Këshillit Prokurorial dhe të refuzojë tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Në të kundërtën, ajo i ka paralajmëruar anëtarët dhe kryesuesin e KGjK-së se do të përfshiheshin në “abuzim të përgjegjësive” të tyre.
“Sytë tanë sot janë te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sepse nëse KGjK vepron në kundërshtim me Ligjin atëherë këtu kemi të bëjmë me një precedent shumë të rrezikshëm”, ka deklaruar Haxhiu në një konferencë për media të premten.
Prokurorë, gjyqtarë, policë e kryetarë të komunave në veri patën dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022, si shenjë revolte ndaj zhvillimeve në këtë pjesë të Kosovës.
Derisa dorëheqjet e policëve ishin pranuar, ato të prokurorëve e gjyqtarëve ishin lënë pezull deri tash.
