Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka mohuar as pohuar nëse po zhvillohet ndonjë hetim për një profilin në Facebook me emrin “Lule Gjeli”, i cili po dyshohet se ka nxitur gjuhë të urrejtjes e ka shantazhuar.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë se s’mund ta konfirmojnë zhvillimin e hetimeve.
“Nuk mund të mohojmë, as të pohojmë nëse është duke u zhvilluar ndonjë hetim lidhur me çështjen në fjalë”, ka thënë Luta.
Pak më herët, deputetja e PDK’së, Blerta Deliu, tha se është caktuar një prokurore për këtë rast dhe njoftoi se të hënën do ta denoncojë këtë rast në Prokurorinë Speciale.
“Të hënën në mëngjes do të paraqitem në Prokurorinë Speciale për ta denoncuar profilin “Lule Gjeli” dhe për të ofruar çdo informacion që kam në dispozicion. Pas informatës se Prokuroria Speciale ka filluar hetimet lidhur me këtë rast, kam kontaktuar menjëherë këtë institucion për të marrë informata shtesë. Sipas informatave që kam marrë, tashmë është caktuar prokurorja që po e trajton çështjen. I ftoj të gjithë qytetarët që janë shantazhuar, kërcënuar, fyer apo kanë pësuar pasoja nga veprimtaria e këtij profili, të mos heshtin. Çdo dëshmi dhe çdo denoncim ka rëndësi për zbardhjen e plotë të rastit”.
Përveç Deliut edhe figura të tjera publike kanë nisur denoncimin në rrjete sociale të këtij profili.
I fundit ishte kreu i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se ishte viktimë e këtij profili.
