Të fundit

LBK, Ndërtimtarët dhe Gurthyesit alarmojnë: Mungesa e zhavorrit dhe zvarritjet institucionale po rrezikojnë sektorin e ndërtimit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), së bashku me Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe Shoqatën e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës, kërkojnë veprim urgjent institucional për adresimin e sfidave serioze me të cilat po përballen sektori i ndërtimit dhe industria nxjerrëse në Kosovë.

Përfaqësuesit e organizatave të biznesit, pas një takimi të përbashkët me kompanitë e sektorit, kanë vlerësuar se zvarritjet administrative, mungesa e koordinimit institucional, pasiguria juridike dhe pengesat procedurale po krijojnë pasoja të drejtpërdrejta në realizimin e investimeve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Sektori privat thekson se këto barriera po pengojnë funksionimin normal të operatorëve ekonomikë vendorë, duke ndikuar në rritjen e kostove, vonesat në realizimin e projekteve dhe dobësimin e konkurrueshmërisë së industrisë vendore.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka qenë vazhdimisht e angazhuar në adresimin e këtyre çështjeve dhe në përfaqësimin e interesave të sektorit privat. Në këtë drejtim, më 23 Prill 2026, LBK ka dorëzuar komentet dhe rekomandimet e saj tek Grupi Punues për hartimin dhe finalizimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-125 për Pronën Publike, me qëllim që shqetësimet e bizneseve të reflektohen në kuadrin ligjor dhe të krijohet një mjedis më i sigurt për investime.

Shqetësimet kryesore të sektorit

Pas analizimit të gjendjes aktuale dhe diskutimeve me përfaqësuesit e industrisë, është konstatuar se sektori i ndërtimit, industria e betonit dhe aktivitetet e gurthyesve po përballen me barriera serioze institucionale dhe administrative.

Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ngriti shqetësimin lidhur me vështirësitë në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me zhavorr dhe agregate ndërtimore, duke theksuar se mungesa e këtyre materialeve bazë po ndikon drejtpërdrejt në proceset prodhuese, realizimin e projekteve dhe stabilitetin e tregut.

Ndërkaq, Shoqata e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës ngriti shqetësimin për rritjen e importeve të materialeve ndërtimore nga Serbia dhe tregje të tjera, në një kohë kur prodhuesit vendorë po përballen me pengesa të shumta administrative dhe procedurale.

Kjo situatë po dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor, po rrezikon investimet ekzistuese dhe vendet e punës, ndërsa krijon varësi nga importet për produkte që mund të sigurohen nga kapacitetet vendore.

Çështjet prioritare të identifikuara

* Mungesa e harmonizimit institucional ndërmjet Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe institucioneve të tjera kompetente.
* Vonesat e gjata në shqyrtimin e kërkesave për licencim, vazhdimin dhe rinovimin e licencave, të cilat kanë penguar funksionimin normal të kompanive.
* Zvarritja e procedurave për shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore dhe zonave ku zhvillohet aktiviteti minerar.
* Burokracia e tepërt, procedurat e ndërlikuara administrative dhe mungesa e koordinimit ndërinstitucional.
* Rritja e importeve të materialeve ndërtimore, ndërkohë që prodhuesit vendorë përballen me barriera që cenojnë konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë financiare.
* Nevoja për zbatimin e standardeve mjedisore në mënyrë të drejtë, profesionale dhe të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.

Kërkesat e përbashkëta të sektorit privat

Lidhja e Bizneseve të Kosovës, Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe Shoqata e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet përgjegjëse:

* Harmonizimin e legjislacionit dhe krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm koordinues ndërmjet institucioneve relevante.
* Përfundimin me prioritet të procedurave të licencimit dhe rinovimit të licencave për operatorët ekonomikë.
* Krijimin e sigurisë juridike për investitorët dhe zhbllokimin e procedurave për aktivitetet minerare dhe ndërtimore.
* Thjeshtimin e procedurave administrative dhe respektimin e afateve ligjore për trajtimin e kërkesave të bizneseve.
* Hartimin e politikave që mbështesin prodhimin vendor dhe mbrojnë sektorët strategjikë të ekonomisë së Kosovës.
* Krijimin e një platforme të përhershme konsultative ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.
* Rishikimin e vendimeve të caktuara komunale të cilat, pa harmonizim me institucionet kompetente, kanë krijuar pengesa për funksionimin ose vazhdimin e aktivitetit të operatorëve ekonomikë.

Përfaqësuesit e sektorit privat theksojnë se këto kërkesa nuk synojnë privilegje, por krijimin e një sistemi transparent, funksional dhe të drejtë, ku bizneset të kenë siguri juridike, mundësi për zhvillim dhe kushte të barabarta për investime.

Është koha që të përfundojë praktika e zvarritjeve institucionale dhe e proceseve të përsëritura pa rezultate konkrete. Zhvillimi ekonomik i Kosovës kërkon partneritet real ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.

Bizneset duhet të jenë partner aktiv në hartimin e politikave ekonomike dhe jo vetëm bartëse të pasojave nga mungesa e koordinimit institucional.

Video nga Paradoks

VV SHOW - A ma shumë ka gjasa që LDK të bëjë kualicion me Vetvendosjen, apo të rrëzohet Abdixhiku

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci