Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò, ka konfirmuar se kanë nisur bisedimet me trajnerin Roberto Mancini për marrjen e drejtimit të kombëtares italiane. Pas mbledhjes së Këshillit Federal, Malagò deklaroi se palët janë në pritje të nënshkrimit të kontratës.
Dorëheqja erdhi si pasojë e krizës së shkaktuar nga refuzimi i Andrea Pirlos për postin e menaxherit të kombëtares, për shkak të lidhjeve të tij me një kompani ruse të basteve. Ndërkohë, mediat italiane kanë përmendur emrin e Claudio Ranierit si një kandidat të mundshëm për këtë rol.
Në këtë takim ishin të pranishëm 16 anëtarë, përfshirë përfaqësuesit e Serie A: presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, zëvendëspresidenti i Udineses, Stefano Campoccia, dhe ish-futbollisti Giorgio Chiellini.
Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të Serie B, Serie C, Ligës Kombëtare Amatore, Shoqatës së Futbollistëve dhe Shoqatës së Trajnerëve, ku bënin pjesë Giancarlo Camolese dhe Silvia Citta.
Karriera e Mancinit si trajner nisi në vitin 2001 te Fiorentina, ku fitoi një Kupë të Italisë, për të vazhduar më pas te Lazio. Suksesi i tij më i madh u shënua te Interi, ku fitoi tre tituj radhazi të Serie A midis viteve 2006 dhe 2008, duke grumbulluar gjithsej shtatë trofe me klubin zikaltër.
Në vitin 2009, ai mori drejtimin e Manchester Cityt, ndërsa më vonë punoi te Galatasaray dhe Zenit Saint Petersburg. Në vitin 2018, Mancini u emërua trajner i Italisë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe, ai nuk arriti të kualifikohej për Kupën e Botës 2022 në Katar, pas humbjes në play-off ndaj Maqedonisë së Veriut. Pas largimit nga Italia, ai pranoi ofertën për të drejtuar kombëtaren e Arabisë Saudite.
Burimi: marca.com
