Vijat e para të Ukrainës Lindore janë të mbuluara me borë dhe snajperët janë vendosur në këtë djerrinë të bardhë dimërore. Trupat ukrainase që harrojnë të qëndrojnë poshtë në istikamet e tyre në stilin e Luftës së Parë Botërore, rrezikojnë të goditen me ndonjë plumb në kokë, shkruan BBC.
Konflikti këtu është i ngrirë që nga viti 2014, kur separatistët, me mbështetjen e Moskës, pushtuan pjesë të rajonit të Donbasit. Së paku 13.000 njerëz u vranë, luftëtarë dhe civilë. Tani liderët perëndimorë po paralajmërojnë për diçka shumë më të keqe, një pushtim të plotë rus të Ukrainës. Nëse kjo ndodh, fonti lindor do të ishte një vend i lehtë për të filluar, ndërsa rebelët pro-rusë po hapin rrugën në zonë.
Maria po përpiqet të mos stresohet për këtë. 26-vjeçarja ukrainase ishte në llofogorin e saj, e armatosur me një kallashnikov dhe me manikyr perfekt. Ajo është pjesë e Brigadës së 56-të të Këmbësorisë ukrainase.
“Përpiqem të shmang politikën dhe të mos shikoj televizionin, përpiqem të mos shqetësohem shumë. Por ne jemi gati. Kemi bërë shumë stërvitje. E kuptoj se kjo nuk do të jetë si stërvitje, do të jetë e vështirë për të gjithë. Por ne qëndrojmë në tokën tonë”, ka thënë Maria, transmeton Paparaci.
Maria ka edhe vëllezër. Dy prej tyre kanë shërbyer në Gardën Kombëtare të Ukrainës. Vëllai i saj më i ri së shpejti do të jetë në vijën e parë të frontit. Në shtëpi, prindërit e Marias, të cilët tani janë në pension, po kujdesen për djalin e saj katërvjeçar, raporton BBC.
“Ishte shumë e vështirë ta lë, por prej moshës gjashtëvjeçare, ëndrra ime është të shkoj në ushtri. Nuk kam menduar që do të përfundoj në front, por nuk pendohem që jam këtu”, shtoi ajo.
Aty pranë, një nga vëllezërit e saj po pret dru me sëpatë. I ftohti është një kërcënim i vazhdueshëm, ashtu si edhe separatistët që janë vetëm një kilometër larg.
Maria ecë nëpër tunel deri në vendbanimin e saj larg shtëpisë, nën tokë. Vizatimet e fëmijëve me ngjyra të ndezura ishin ngjitur në muret e baltës.
“Këto vijnë nga shkolla të ndryshme, si falënderim”, ka thënë ajo.
“Kjo na ndihmon të rritet morali ynë”, shton ajo.
Lufta e Marisë flet për të ardhmen e atdheut të saj, dhe ndoshta është shumë më tepër se fati i Ukrainës.

Presidenti i SHBA Joe Biden paralajmëroi për “ një mundësi të shtuar” që Rusia do të kryej pushtimin në shkurt dhe në këtë mënyrë ta ndryshojë botën. Kryeministri britanik Boris Johnson ka përkujtuar për tmerret e Çeçenisë dhe Bosnjës. Shqetësimi i madh ndërkombëtar bie ndesh me atë që dëgjoni nga disa ukrainas.
“Nuk besoj se do të vijnë rusët”, thotë një punëtore sociale në lindje, e cila nuk dëshiron t’i përmendet emri.
“Unë besoj syve dhe veshëve të mi. Këtu në fakt është më qetë tani se muajin e kaluar. Kjo është vetëm një luftë e informatave”, ka shtuar ajo.
“Këtu nuk ka asgjë për të parë”, përsërit rregullisht Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky. Por disa kanë frikë.
“Sa herë dëgjoj zhurmë më rreh zemra”, thotë Ludmila Momot (64).
Ajo e di se çfarë mund të bëjë Moska dhe aleatët e saj. Shtëpia e saj 30-vjeçare, në fshatin Nevilske, u rrafshua me tokë nga bombardimet separatiste nëntorin e kaluar.
Ajo u kthye në Nevilske që tani është një qytet fantazmë, për të treguar çfarë kishte mbetur prej tij.
“Kjo është një plagë që do të mbetet deri në fund të jetës sime”, ka thënë ajo me lot në sy, duke shikuar në vrimën e hapur ku ishte dera e saj e përparme, transmeton Paparaci.
“Më është dashur të zvarritem mbi rrënoja me këmishë të natës. Këmbët i kisha të përgjakura. Tetë vjet luftë, sa do të zgjasin vuajtjet tona?”, pyet ajo.
BBC gjithashtu ka folur edhe me një mjelëse në pension, e cila kishte diçka për t’i thënë Putinit.

“Pajtohuni, merruni vesh. Jeni të gjithë të rritur, të arsimuar. Pajtoni që njerëzit të jetojnë të lirë, pa lot dhe vuajtje”, ka thënë ajo.
Në versionin modern të luftës dhe paqes, loja përfundimtare e liderit rus mbetet e paqartë. A grumbulloi ai rreth 100.000 trupa përgjatë kufirit ukrainas për të nxjerrë koncesione nga NATO apo për të pushtuar edhe një pjesë të vendit?
Një nga skenarët e mundshëm është një sulm i kufizuar me forca të dërguara vetëm në Ukrainën lindore. Kremlini me siguri do të përpiqet t’i paraqesë ata si “paqeruajtës”, gjoja për të mbrojtur pronarët e pasaportave ruse. Moska ishte e zënë me lëshimin e qindra mijëra pasaportave në territorin që e mbajnë separatistët.
Trupat ukrainase këmbëngulin se nëse rusët vijnë, nuk do të jetë aq e lehtë sa aneksimi i gadishullit të Krimesë në 2014.

“Kësaj radhe jemi më të përgatitur”, thotë Aljona, e cila është e stacionuar në lindje.
“Unë dyshoj se rusët do të pushtojnë. Ata duan të krijojnë panik dhe ta përdorin atë si një levë”, ka thënë ajo.
Edhe nëse nuk do të ketë pushtim tokësor, çfarë Moska këmbëngul se nuk do të ketë – dëmi tashmë është bërë. Kori ndërkombëtar i shqetësimit për një pushtim të mundshëm po destabilizon këtë komb.
Presidenti Putin tashmë ka arritur fitoren, pa shkrepur asnjë plumb, ashtu që e ka dobësuar vendin fqinj dhe duke detyruar komunitetin ndërkombëtar të dëgjojë çdo fjalë të tij. Por shumë udhëheqës perëndimorë kanë frikë se ai nuk do të jetë i kënaqur me këtë./Paparaci
