Të fundit

Trupat amerikane në fqinjësi të Rusisë, situata në prag të shpërthimit

Që nga marrja e detyrës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, ka ndjekur me vëmendje ngjarjet në tokën evropiane. Tani që situata në kufirin ruso-ukrainas është shumë e nxehtë, në prag të shpërthimit, ai ka vendosur të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejt. SHBA po dërgojnë njësi ushtarake në Evropën Lindore, të cilat, nëse gjërat shkojnë keq, do t’i bashkohen njësive ukrainase.

Presidenti amerikan zyrtarisht ka miratuar vendosjen shtesë të ushtrisë së SHBA në Evropën Lindore dhe pritet që Pentagoni së shpejti të njoftojë se trupat do të vendosen “në ditët në vijim”. Në këtë kontingjent, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë rreth 2.000 ushtarë në Poloni dhe disa mijëra të tjerë në anëtarët e NATO-s në Evropën Juglindore, kryesisht në Rumani. Vlerësohet se një pjesë e trupave tashmë janë në Evropë, ndërsa të tjerat do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara.

Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara kanë vënë 8.500 trupa të tjera në gatishmëri të lartë në rast se NATO bën thirrje për një reagim të shpejtë.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se dislokimi i trupave do të jetë i kufizuar, proporcional dhe plotësisht në përputhje me detyrimet sipas Aktit Themelues NATO-Rusi, duke shtuar se aleatët do të forcojnë mbrojtjen nëse Rusia pushton Ukrainën, transmeton Paparaci.

Rumania ka kërkuar prej kohësh trupa të NATO-s në territorin e saj

Rumania, ku duhet të arrijnë rreth një mijë ushtarë, ka kërkuar prej kohësh që trupat e NATO-s të vijnë në territorin e saj.

Franca ka shprehur interes për të udhëhequr ato njësi dhe gjatë një vizite në Bukuresht, ministrja franceze e mbrojtjes Florence Parley ka paralajmëruar arritjen e shpejtë të një grupi ekspertësh në Rumani, të cilët duhet të fillojë përgatitjet.

Gjenerali në pension Philip Breedlove, komandant i forcave të NATO-s në Evropë prej vitit 2013 deri në 2016, e lavdëroi këtë vendim. Duke folur në Qendrën Kërkimore të Këshillit Atlantik, ai rekomandoi që Aleanca të konsideron opsione që do t’i tregonin Putinit se ai do të fitojë të kundërtën e asaj çfarë ka kërkuar.

Përveç alarmit të shtuar, Breedlove po propozon një lëvizje të mundshëm të elementeve të Task Forcës së Përbashkët Operacionale të Nivelit të Lartë (VJTF).

VJTF përbëhet nga rreth 20.000 trupa shumëkombëshe dhe është  pararojë e Forcave të Reagimit të NATO-s, e cila ka 40.000 trupa. Koha e reagimit të VJTF sivjet është shkurtuar nga shtatë në pesë ditë.

Nëse është e nevojshme, ato forca do të dislokohen edhe më shpejt se kaq, konsideron Ben Hodges, gjithashtu një gjeneral në pension – ish-komandant i ushtrisë amerikane në Evropë. Ai këtë e përshkruan kështu: “Nëse më thoni se kam pesë ditë për të lëvizur, atëherë do të jem gati të lëviz për një ose dy ditë”.

NATO dhe SHBA zyrtarisht kanë refuzuar kërkesat e Rusisë

Gazeta spanjolle “El Pais” ka publikuar dokumente sekrete për marrëveshjen mes SHBA dhe NATO-s, në të cilat thuhet se kërkesat kryesore të Rusisë në lidhje me zgjerimin e bllokut të NATO-s në lindje u refuzuan zyrtarisht, përcjellë Paparaci.

Megjithatë, në dokumentet e siguruara nga “El Pais” pretendohet se synimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s është që në periudhën e ardhshme të bisedohet me Rusinë për disa kërkesa, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit në fusha të caktuara.

NATO fajëson Rusinë për forcimin të rëndësishëm, të paprovokuar, të pajustifikuar dhe të vazhdueshëm ushtarak rreth Ukrainës dhe Bjellorusisë. Blloku përsëriti mbështetjen e tij për të drejtën e vendeve të tjera për të zgjedhur ose ndryshuar marrëveshjet e sigurisë, duke hedhur poshtë kërkesën e Rusisë që Ukraina të mos bëhet pjesë e Aleancës.

Rusia nuk e do NATO-n në mjedisin e saj

Mundësia e një reagimi të shpejtë dhe grumbullimi i ushtarëve të trajnuar mirë të NATO-s rreth kufijve të saj është pikërisht ajo që shqetëson Rusinë. Prandaj kërkesa më e rëndësishme e negociatorëve rusë në bisedimet e muajit të kaluar ndërmjet Rusisë dhe NATO-s, të cilat u mbajtën në Bruksel, Gjenevë dhe Vjenë, ishin garancitë e sigurisë.

Me garancitë, NATO-ja do të angazhohej që të mos hapte baza apo të sillte trupa në vendet në kufi me Rusinë.

“Ushtria dhe armët e NATO-s pranë kufijve të Rusisë paraqesin një sfidë sigurie për vendin, e cila duhet të adresohet menjëherë. Duhet të kuptoni se çelësi është të garantoni që NATO nuk do të zgjerohet në lindje. Kërkesat e Rusisë janë një paketë, jo një menu ku diçka mund të zgjidhet”, ka thënë ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov pas negociatave.

Për këtë arsye gjatë negociatave nuk u arrit marrëveshje dhe ato përfunduan në rrugë pa dalje. Që atëherë, akumulimi i ushtarëve në të dy anët e kufirit ka vazhduar dhe sipas vlerësimeve të fundit, në anën ruse të kufirit janë më shumë se 100 mijë ushtarë.

Perëndimi u përgjigj se shtetet sovrane vendosin vetë se në cilat aleanca ata do të bashkohen e në cilat jo. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Ukraina është sërish shtet sovran, kanë thënë udhëheqësit perëndimorë.

Kjo nuk është hera e parë që NATO vendos trupat e saj pranë Rusisë. Ata ishin të pranishëm në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni në vitin 2014 pas pushtimit rus të Ukrainës./Paparaci

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci