Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu, dy skitarët që përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën Dimërore, do të përfitojnë 100 mijë euro nëse arrijnë të stolisen me medalje të artë.
Dy sportistët kosovarë pritet të shërblehen me shuma më të majme sesa sportistët e vendeve më të fuqishme ekonomike si Amerika, Gjermania e Franca. Kështu parasheh një ligj i veçantë shtetëror për sportistët që nderohen me medalje në olimpiada.
Në një shkrim të publikuar nga revista prestigjoze, Forbes, Kosova renditet e dhjeta në mesin e shteteve që kanë paraparë shpërblimet më të mëdha në rast të fitimit të medaljeve të arta në Olimpiadën Dimërore.
Sipas hulumtimit të Forbes, në rast se Albin Tahiri ose Kiana Kryeziu arrin të stolisen me medalje, ata do të pasurohen për 123.000 dollarë.
Përveç nëntë shteteve, të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse në Olimpiadë parashohin shpërblime më të ulëta sesa Kosova për sportistët e tyre.
Sportistët amerikanë do të fitojnë vetëm 37.500 dollarë në rast se arrijnë ndonjë medalje. Një dallim ky i madh me Kosovën, një nga shtetet më të varfëra në Evropë. Sportistët gjermanë, sipas listës së Forbes, do të marrin 22.000 dollarë. Ata austriakë e kanadezë nga 16.000 dollarë.
Olimpiada Dimërore, e cila mbahet në Pekin të Kinës, do të fillojë zyrtarisht sot përmes një ceremonie hapëse që fillon në orën 13:00, sipas orës evropiane. /Paparaci.com

