Qendrim Ahmeti, djali i kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit ligjor në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar vet Ahmeti, i cili ka thënë se ky lirim i detyrës është bërë për shkaqe të inateve personale të u.d. kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, Sokol Xhafa.
Ai shtoi se në periudhën sa e ka udhëhequr departamentin ligjor, ka qenë viti më i suksesshëm i zyrës në 20 vitet e fundit.
“Lirimi im nga pozita e U.d të shefit të zyrës ligjore në KRU Prishtina është bërë për arsye të inateve personale të U.d Kryshefit Ekzekutiv Sokol Xhafa. Përndryshe viti 2021 sa e kam udhëheqë departamentin ligjor ka qenë viti më i suksesshëm i kësaj zyre në 20 vitet e fundit”, deklaroi Ahmeti.
Ai thotë se vendimi i kryeshefit për shkarkimin e tij nga pozita, anashkaloi sekretarin e ndërmarrjes, teksa shtoi se shef i tij në hierarki është pikërisht sekretari.
“Anashkalimi i sekretarit ka ndodhur sepse Sekretari nuk kishte asnjë vërejtje për mua si udhëheqës i Zyrës ligjore”, tha ai për Paparacin.
Vendimi për shkarkimin e tij është marrë më 1 shkurt të këtij viti.
Ahmeti ishte emëruar në këtë pozitë në tetor të vitit 2020, ku Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga Avdullah Hoti i LDK-së. /Paparaci.com/
