Të fundit

Apeli ndryshon vendimin ndaj Lavdim Krasniqit, i përfshirë në aferën korruptive

Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për hudhjen e dy akuzave për vepra korruptive kundrejt Lavdim Krasniqit, i implikuar në një video-incizim të publikuar nga Paparaci.

Por, Apeli ka vërtetuar shkatërrimin e provës kryesore, një incizimi të autorizuar nga gjykata me pajisje të Policisë së Kosovës, në ndjekjen penale të drejtorit të Sekretariatit të KPK-së.

Hedhjen poshtë të kësaj prove pikërisht me motivin se është e papranueshme e kishte aprovuar Gjykat Themelore më 25 nëntor, bazuar në kërkesën e mbrojtjes së Krasniqit.

Kjo provë është kryesorja në proces. Konfirmon marrjen e shumave të mëdha të parave nga i akuzuari, Bashkim Mulolli dhe të një veture në vlerë mbi 25 mijë euro për Marigona Krasniqit, asistenten e Krasniqit.

Me hedhjen poshtë të provës, më 25 nëntor, 2021, Gjykata Themelore hodhi poshtë edhe dy akuzat për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar” kundër drejtorit të Sekretariatit të KPK-së.

Në një aktvendim të nxjerrë të premten, të cilin e ka siguruar Paparaci, Apeli e anuloi aktjgykimin e shkallës së parë të gjykatës. E ngarkoi Krasniqin me të dy veprat penale për korrupsion.

“NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.484/21 i datës 25.11.2021, ashtu që REFUZOHET si e pabazuar kërkesa për hedhje të aktakuzës e parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Lavdim Krasniqi”, thuhet në aktvendim.

Sipas aktvendimit të Apelit, Krasniqi do të gjykohet për dy veprat penale korruptive në gjykatën e shkallës së parë.

“Gjykata e Apelit gjen se ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Lavdim Krasniqi ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet”, thuhet në aktvendimin e nxjerrë nga Kreshnik Radoniqi, kryetar i trupit gjykues.

Por, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk do të gjykohet në bazë të provës kryesore të siguruar nga Prokuroria, një video-incizimi ligjor të cilin e publikoi Paparaci në muajin nëntor.

Video-incizimi ishte kryer nga Bashkim Mulolli, i shpallur dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.

Apeli, konfirmoi “shkatërrimin” e video-incizimit që konfirmon marrjen e shumave të mëdha të parave nga i akuzuari dhe të një veture në vlerë mbi 25 mijë euro për asistenten e tij, Marigona Berisha.

Në aktvendimin e nxjerrë të premten, Apeli vërtetoi aktgjykimin e Themelores për shpalljen e provës të papranueshme, “sepse urdhri i gjyqtarit të procedurës paraprake është nxjerrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale”.

Apeli, po ashtu e ka rrëzuar aktvendimin e Themelores për hedhjen poshtë të akuzës për “Blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” ndaj Marigona Krasniqit, të bashkëakuzuar me Krasniqin.

Paparaci, më 24 nëntor të vitit të kaluar publikoi video-përgjimin e autorizuar nga organet shtetërore ndaj Krasniqit.

Audio-inicimin e kishte realizuar Bashkim Mulolli, një i burgosur me vendim gjykate. Ai është dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë. Misioni i tij ka qenë incizimi dhe zbulimi i aferave korruptive të ish-drejtorit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi.

Sipas raportimit të Paparacit, Ministria e Drejtësisë ka dëshiruar që ta konstatojë daljen e Mulollit nga burgu si të paligjshme. Rrjedhimisht, incizimi i autorizuar nga Gjykata me pajisje të Policisë së Kosovës, ishte shpallur si provë e papranueshme në Gjykatë.

Hedhjen poshtë të kësaj prove pikërisht me motivin se është e papranueshme e kishte kërkuar edhe mbrojtja e Krasniqit në gjykatë.

Kjo provë është kryesorja në proces e cila konfirmon marrjen e shumave të mëdha të parave nga i akuzuari, Mulolli dhe të një veture në vlerë mbi 25 mijë euro për asistenten e Krasniqit, Marigona Berisha.

Video-incizimi ekskluziv – prova që mund të çojë në burg Lavdim Krasniqin

Paparaci ka siguruar videoincizimin që implikon në këtë rast zyrtarin e lartë të Prokurorisë. Videoincizimi ekskluziv provon përfshirjen e ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial në skandalin e rëndë korruptiv në sistemin e Prokurorisë.

Më 26 shkurt të këtij viti, Bashkim Mulolli, nën përcjelljen e Shërbimit Korrektues dhe Policisë së Kosovës me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës, e kishte takuar Lavdim Krasniqin pas pothuajse një viti.

Biseda mes tyre zhvillohet në dy ambiente të ndryshme në kafene të kryeqytetit.

Mulolli, ka shumë hesape për “të larë” me Krasniqin, por edhe me dy njerëzit e tij: shoferin Ardian Krasniqi dhe asistenten Marigona Berisha. Ata, i kishin premtuar ta ndihmonin që t’i shpëtonte burgut në këmbim të mijëra eurove dhe një veture dhuratë që kishin pranuar.

Por, e kishin mashtruar. Këtë ia thotë që në fillim të bisedës. E pyet për shoferin, Ardian Krasniqin.

“Qysh bre nanën ia q***** veç… veç më mashtruat, m’i morët me kerr e me krejt edhe kurrë s’më ndihmuat më send, as për djem as për kurrgjë hiç”, i thotë Mulolli, Krasniqit.

“Pse çka ka bo, a u bë naj sen a?”, ia kthen Krasniqi, derisa paraprakisht thotë se shoferi i tij, Ardiani, i cili dyshohet se ka marrë ryshfet në emër të tij, “e ka lënë punën”.

Mulolli, përmend katër dhjete mijë euro që ia kishte dhënë grupit të Krasniqit.

“Qysh çka ka bo… Mos ja q* nanën, [Ardiani] ma ka marr kerrin edhe katër dhjetë e diçka mijë euro krejt o vlla.. ti e di fort mirë o vlla… tri herë m’i ka marr për djalë tanin kur e çojke n’Shqipni, kur ma çoj djalin n’Shqipni me kerr tanin tri herë m’thojke po shkoj me djalin e shefit po ja paguaj shkollën… djalin kështu, djalin ashtu”, ia kthen dëshmitari bashkëpunues.

Paparaci, sjell këtë videoincizim por të censuruar në pjesën që lidhet me jetën private.

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci