Të fundit

Fakte për Prokurorinë – 140 mijë € të Komunës së Vushtrrisë për kompaninë e njerëzve të AAK-së

Një raport mbi 350 faqesh, dy biznesmenë të lidhur me politikën dhe katër transaksione bankare në prapaskenë – këto janë elementet e një kontrate të dyshimtë publike të Komunës së Vushtrrisë që peshon 140 mijë euro. 

Suada Qorraj

Në një kohë pandemie kur shumica e bizneseve afariste morën goditje të rënda financiare, një kompani private e lidhur me politikën i rriti fitimet e saj.

140 mijë euro nga buxheti i shtetit u transferuan në xhirollogaritë e “M-Holding” Sh.P.K., një kompani private të afërt me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, në muajin e fundit të vitit 2020.

Komuna e Vushtrrisë përzgjodhi “M-Holding” Sh.P.K. që të kryente një shërbim studimor mbi pandeminë. Firma, e cila paradoksalisht figuron të jetë e specializuar në patundshmëri, lidhi marrëveshje me komunën për realizimin e një studimi mbi efektet e pandemisë COVID-19.

Kontrata mes palëve u nënshkrua në muajin shtator të 2020-s.

Rreth tre muaj më vonë, në dhjetor të po atij viti, katër transfere bankare u kryen mes komunës dhe “M-Holding” Sh.P.K. Buxheti i shtetit u varfërua për 140 mijë euro.

Kompania që përfitoi qindra-mijëra euro të taksapaguesve kosovarë udhëhiqet nga Muhamet Spahiu, këshilltari i Ramush Haradinajt dhe Lorik Muçaj, mik i ngushtë i familjes së liderit të AAK-së.

Sipas aktit të regjistrimit të kompanisë pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ajo figuron të jetë themeluar më 2017. Muçaj posedon gjysmën e aksioneve të kompanisë. Spahiu, 25 për qind të tjera.

Rezultatet e raportit të kushtueshëm 140 mijë euro, u hodhën në një dokument mbi 350 faqesh, i cili nuk përmban hulumtime shkencore. Raporti është kryesisht i bazuar në burime të hapura.

Paparaci ka siguruar studimin e realizuar sipas marrëveshjes së dyshimtë mes komunës dhe kompanisë private të lidhur me politikën.

Një pjesë e të dhënave të paraqitura në raport janë mbledhur nga burime publike pranë Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndërkaq të tjera nga informata tashmë publike në institucione të tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Të dhënat janë nxjerrë edhe nga institucionet qendore, siç është Administrata Tatimore e Kosovës.

Raporti për të cilin Komuna e Vushtrrisë pagoi 140 mijë euro, është titulluar: “Vlerësimi i Ndikimit Socio/ekonomik të Pandemisë COVID-19 në Komunën e Vushtrrisë”. Ai është implementuar në tri faza, raporton Paparaci.

Në fazën e parë është hartuar një plan për identifikimin e bizneseve dhe të punësuarve në Komunën e Vushtrrisë. Në këtë fazë të projektit është propozuar “mbështetja e drejtpërdrejtë” për dy kategoritë.

Në fazën në dytë të raportit mbi efektet e COVID-19 në komunën e vogël të Vushtrrisë, nënvizohen dëmet e pretenduara të shkaktuara në sektorin afarist dhe tek të punësuarit në komunë.

Në këtë fazë të hulumtimit, hartuesit kanë nxjerrë 20 përfundime. Mes tjerash, në pikën 18 të konkluzave, shkruhet se “shumica e kompanive vlerësojnë se ndikimi COVID-19 do të zgjasë deri në një vit”.

Gati një vit e gjysmë më vonë, pandemia COVID-19 vazhdon të ndikojë direkt në jetët e kosovarëve.

Në vend, ende vazhdon të jenë në fuqi masa parandaluese ndaj përhapjes së epidemisë.

Ndërkaq, faza e tretë e raportit të realizuar nga “M-Holding” Sh.P.K., përfshin hartimin e 10 masave, të cilat “mund të adresohen në nivel qendror, lokal dhe donatorë tjerë vendorë e ndërkombëtarë”.

Në raport, janë përmendur dy pyetsorë të pretenduar se janë realizuar me ekonomitë familjare dhe bizneset. Asnjë e dhënë konkrete mbi të anketuarit për pyetsorët e përmendur nuk rezulton në raport, bazuar në dokumentin e studimit.

Pyetsorët, sipas raportit, janë realizuar në formë elektronike. Nuk është shpalosur as metodologjia e ndjekur për realizimin e pyetsorëve, raporton Paparaci.

Tahiri: Kontrata me “M-Holding” ndryshoi pozitivisht strukturën e buxhetit

Xhafer Tahiri, i ka vlerësuar pozitivisht hulumtimin e realizuar dhe rekomandimet e nxjerra nga raportet që “M-Holding” Sh.P.K. ia ofroi Komunës së Vushtrrisë, në këmbim të 140 mijë eurove.

Ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, tha për Paparacin se këshillat e kompanisë ndryshuan strukturën e buxhetit nga një qasje me prioritet “asfaltin”, në një frymë “zhvillimi”.

“Deri më tani në 20 vite ne kemi pasur buxhet kryesisht të asfaltit ku investimet janë fokusuar në asflatime të rrugëve, ndërkohë që në bazë të studimit dhe rekomandimeve që janë aprovu nga Kuvendi i Komunës, propozohet ndryshimi i strukturës së buxhetit të komunës nga buxhet i asfaltit në buxhet të zhvillimit”, tha Tahiri, në një sqarim për Paparacin.

Sipas ish-udhëheqësit të Vushtrrisë, rekomandimet e kompanisë që “studioi” efektet e pandemisë në komunë, i kanë dhënë prioritet punësimit të të rinjve.

Ai, megjithatë, nuk ka treguar të dhëna të sakta rreth punësimit të të rinjve dhe krijimit të vendeve të reja të punës, rreth një vit e gjysmë pas realizimit të studimit.

“Deri në 1 milionë euro parashikohet që të hiqen nga kategoria a asfaltimi të rrugëve dhe transferimi i tyre tek projektet zhvillimore dhe punësimi i të rinjve, krijimi i vendeve të reja të punës, përkrahja e të rinjve përmes subvencioneve të ndryshme, pagesa e praktikës në punë për të rinjtë në biznese në mënyrë që të kenë mundësi me ardhë më lehtë deri te vendet e punës”, shpjegoi Tahiri, në një përpjekje për arsyetimin e raportit.

Tahiri, më saktësisht shpalosi shifrat për ndihmat në formë të subvencioneve për mbi 500 biznese në Komunën e Vushtrrisë. Këto subvencione, tha ai, kanë rrjedhur si rezultat i rekomandimeve nga raportet e kryera prej “M-Holding” Sh.P.K..

“Janë implementuar ndihmesat e ndryshme për biznese për shkak të të gjeturave që i kemi parë nga hulumtimi. Në vitin e parë janë shpërndarë 250 mijë euro ndihmë direkte financiare për 513 biznese në Vushtrri”, tha ai.

“Po ashtu është parashikuar që të gjitha bizneset të lirohen nga taksa komunale në periudhë të caktuar”.

Nuk dihet nëse bizneset në Komunën e Vushtrrisë janë liruar nga taksa komunale, 15 muaj pas përfundimit të studimit 140 mijë eurosh.

Por, Tahiri ka thënë se raporti ka nxjerrë edhe përfundime të tjera.

“Po ashtu në bazë të strategjisë është propozuar të rishikohet struktura e taksave komunale, sidomos tatimeve në pronë në mënyrë që t’i mundësohet edhe familje edhe bizneseve në Vushtrri që të kenë një rimëkëmbje më të shpejtë duke ulur tatimin në pronë për 20 për qind”, shtoi ai.

Përfundimet e studimit dhe projektet milionëshe në letër

Përpos raportit hulumtues, për 140 mijë euro që i pranoi nga shteti, kompania “M-Holding” Sh.P.K. përpiloi edhe një “studim mbi pandeminë”.

Hulumtimi i kompanisë, i titulluar: “Studimi mbi Pandeminë COVID-19”, është më i shkurtër sesa studimi mbi efeket e pandemisë.

Një pjesë e madhe e këtij raporti është realizuar përmes pyetësorëve për ekonomitë dhe bizneset në Vushtrri.

Në konkluzionet e hulumtimit, të cilin e posedon Paparaci, theksohet se pandemia ka ndikuar që shumë persona në komunën e Vushtrrisë të humbasin vendin e punës. Aty flitet edhe për remitencat e dërguara nga jashtë.

“Flukset hyrëse për familjet kanë pësuar rënie nga remitancat e dërguara nga mërgata në vende të ndryshme evropiane dhe SHBA”. Kjo sipas këtij hulumtimi ka ndodhur për shkak se edhe “mërgata janë prekur nga pandemia”, thuhet në një nga pikat e raportit.

Në këtë raport shtesë që ia ofroi komunës, raporti rekomandon ndërmarrjen e dhjetë masave për pushtetin lokal.

Një nga masat sugjeron ridestinimin e mbi tre milionë eurove në kategori të subvencioneve të cilat përdorur kryesisht për asfaltim të rrugëve lokale. Propozohet edhe zbritja e tatimit në pronë në 25% për qytetarët dhe bizneset. Rekomandohet që dy mijë të rinj të trajnohen me pagesë për tregun e punës.

Raporti i kompanisë së njerëzve të afërt me AAK-në, parasheh edhe projekte zhvillimore në vlera milionëshe, përfshirë ndërtimin e ngrohtores së qytetit në vlerë 12 milionë euro, impiantin e ujërave të zeza në vlerë 15 milionë euro, si dhe gazifikimin e qytetit në vlerë 6 milionë euro.

Asnjë nga projektet milionëshe nuk janë iniciuar nga komuna.

Komuna e Vushtrrisë udhëhoqi një procedurë të dyshimtë, të negociuar dhe të mbyllur, për përzgjedhjen e kompanisë fituese në tenderin të cilin e fituan njerëz të lidhur me ish-pushtetin e Ramush Haradinajt.

Tri kompani konkurruan në procedurën e prokurimit.

Asokohe, Komuna e Vushtrrisë deklaronte se çmimi prej 140 mijë eurosh për tenderin një-burimor “ka qenë i arsyeshëm dhe i favorshëm për komunën”. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci