Të fundit

Beteja e rojës së sigurimit me shefin e kabinetit të ministrit

Prokuroria akuzon shefin e kabinetit të ministrit Fikrim Damka për kanosjen e dy punëtorëve. Aktakuza është ngritur në shtatorin e vitit 2019, por lënda ka mbetur e pashqyrtuar në gjykatë. Viktima, pretendon për ndërhyrje të politikës në drejtësi. Ka llogari politike në prapaskenë, dyshon ai. 

Kastriot Kokollari

Nusret Azemi, një rojë sigurimi, pretendon se një rast gjyqësor në të cilin ai është viktimë e një zyrtari të lartë të shtetit, rrezikon t’ia heqë dy deputetë koalicionit qeverisës.

Prej më shumë se dy vitesh, 47-vjeçari Azemi është në pritje të ballafaqimit në gjykatë me Yildiray Bajramin, shefin e kabinetit të ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.

Bajrami, një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike Turke (KDTP), mesnatën e 25 dhjetorit, 2018, e ka kanosur me armë zjarri Azemin, derisa viktima ndodhej në vendin e tij të punës. Shërbente si rojë sigurimi në një vendparkimi të veturave në kryeqytet.

Prokuroria akuzon shefin e kabinetit të ministrit Damka për kanosjen e Azemit dhe një kolegu të tij të punës, Bujar Xhakaliu. Aktakuza është ngritur në shtatorin e vitit 2019.

Që nga atëherë, asnjë seancë gjyqësore nuk është mbajtur. Nusret Azemi pretendon se ka ndërhyrje të politikës në drejtësi. Ka hesape politike që e kanë zvarritur procesin, dyshon viktima.

Yildiray Bajrami, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e gazetës për rastin.

Partia Demokratike Turke (KDTP), pjesë e Grupit Parlamentar 6+, posedon dy ulëse në Kuvendin e Kosovës. KDTP-ja, është në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Këta po dëshirojnë me e amnistu të akuzuarin sepse rrezikohet dalja e partisë turke nga qeveria”, thotë Azemi, në një bisedë me Paparacin. “Unë kam qenë në ministri. Ata më kanë larguar dhe më kanë arrestuar dhunshëm”.

Aktakuza e ngritur kundër Yildiray Bajramit për kanosjen e Nusret Azemit dhe kolegut të tij të punës, rrezikon të parashkruhet brenda një viti e dhjetë muajsh: në dhjetorin e vitit 2023.

Në bazë të nenit 49 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen vepër veprën penale “Kanosja”, nga neni 185, paragrafi 4,  dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

Parashkrimi i ndjekjes është pesë vjet nga kryerja e veprës penale. Në rastin e Yildiray Bajramit, ndjekja e tij llogaritet të parashkruhet më 25 dhjetor 2023.

Kësisoj, Azemi ka frikë se ndjekja kundrejt zyrtarit që e kanosi rreth tri vjet më parë, do të pushojë vitin e ardhshëm.

“Unë bashkë me shokun tim kemi bërë disa kërkesa për thirrjen e seancës dhe aty më kanë thënë se rasti mund të bëhet politik”, shprehet 47-vjeçari. “Tash janë të informuar institucionet, por po presin me zvarrit rastin sepse një kod i lejon me u parashkru lënda”.

Paparaci ka kontaktuar të mërkurën me gjyqtarin e rastit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Adnan Bajramin, por pasi është informuar lidhur me lëndën për të cilën interesohet gazeta, ai ka ndalur telefonin.

As Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është përgjigjur në pyetjet e mediumit për lëndën.

Kërcënimi i shefit të kabinetit: “Largomi veturat, t’i q* robt'” 

Yildiray Bajrami, kishte nxjerrë revolën dhe e kishte orientuar atë në drejtim të Nusret Azemit dhe kolegut të tij, Bujar Xhakaliut.

Ngjarja, sipas përshkrimit të prokurorisë, kishte ndodhur mesnatën e 25 dhjetorit, 2018, në parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bajrami, duke tentuar të dal me veturën e tij BMW X3 nga parkingu, derisa Azemi dhe Xhakaliu i kanë kërkuar të presë për shkak të tollovisë në vend-parkim, ai i ka kërcënuar me armë zjarri.

Aktakuza e prokurores Merita Lumezi, e përshkruan në gjendje të dehur funksionarin politik të komunitetit turk.

“Por duke qenë në gjendje të dehur, i njëjti [Yijdiray Bajrami, v.j] ka nxjerrë revolen dhe e ka drejtuar në drejtim të dyshes”, thuhet në aktakuzë.

Bajrami, në intervistën dhënë prokurores Lumezi, e ka pranuar pjesërisht veprën penale. Ka pohuar se kishte nxjerrë armën, por mohuar drejtimin e saj në drejtim të punëtorëve të parkingut.

“Po ashtu, [Yildiray Bajrami, v.j] ka deklaruar se armën e ka me leje”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Në mbylljen e arsyetimit të aktakuzës, prokurorja Lumezi vlerëson se ka prova të mjaftueshme për ndjekjen penale të Bajramit.

Arrestimi para objektit të qeverisë  

Rrezikun që e ndien për mos-vendosjen e drejtësisë kundër kërcënuesit të tij, Azemi e ka manifestuar me një protestë para zyrës së Bajramit në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Të hënën e 7 shkurtit, 2022, Azemi u arrestua para objektit të Qeverisë së Kosovës në të cilin ndodhen zyrat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Zyrtarët policorë e arrestuan rojën e sigurimit për vendosjen e një mbishkrimi “Pa vetting nuk ka drejtësi”, në xhamat e objektit të qeverisë.

“Kam shkuar që të kërkojë llogari për rastin tim”, thotë Azemi.

Azemi, po ashtu i është drejtuar me letra, Albert Zogajt, kryetarit të Këshillit Gjyqësor (KGjK) si dhe gjyqtarit Adnan Kamberi. Ka kërkuar nga ata që të thirret seanca gjyqësore për shqyrtimin e aktakuzës kundër kërcënuesit të tij. Por, thotë se nuk ka pranuar përgjigje. /Paparaci

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci