Të fundit

Biznesmeni i fuqishëm në arrati – nuk i dorëzohet shtetit për aferën e Brezovicës

Organet e rendit nuk e gjetën në shtëpi pronarin e kompanisë ndërtimore “Dino” Sh.P.K. dhe hotelit “Brezovica Hotel Spa” të premten. Prej tri ditësh, Abedin Salihu ndodhet në arrati, ka mësuar mediumi Paparaci. 

Abedin Salihu ka vendosur ta sfidojë shtetin.

Biznesmeni i fuqishëm i ndërtimit, i dyshuar për përfshirje në aferën “Brezovica”, vazhdon të jetë në arrati që nga e premtja e javës së kaluar.

Shtëpia e tij në Komunën e Lipjanit është bastisur mëngjesin e së premtes nga Policia e Kosovës, në operacionin e tretë në kuadër të rastit “Brezovica”, i cili përfshin një grup të madh afaristësh dhe zyrtarësh shtetërorë të dyshuar për keqpërdorime në Brezovicë.

Organet e rendit nuk e gjetën në shtëpi pronarin e kompanisë ndërtimore “Dino” Sh.P.K. dhe hotelit “Brezovica Hotel Spa”.

Prej tri ditësh, ndërtuesi nga Lipjani ndodhet në arrati, ka mësuar mediumi Paparaci nga burime të afërta me organet e drejtësisë.

Në një njoftim për media të shtunën, Prokuroria e Shtetit konfirmoi të ketë kryer bastisje në Komunën e Lipjanit të premten.

“Janë bastisur pesë lokacione: një në Lipjan, një në Skenderaj e pesë të tjera në Prishtinë”, tha Rasim Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë në Ferizaj.

Abedin Salihu, i dyshuar për implikim në aferën e lejeve ndërtimore në Brezovicë, është udhëheqës i disa bizneseve afariste, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe minierave e mineraleve.

Kompania e tij, “Dino” Sh.p.k. është një biznes i cili ndërton objekte banesore dhe jobanesore.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, “Dino” Sh.P.K. figuron të ketë kapital prej rreth 150 mijë euro. Përpos Abedin Salihut, aksione në kompani kanë deklaruar edhe dy familjarët e tij: Ramadan dhe Ibrahim Salihu.

Abedin Salihu, po ashtu është pronar i njërit prej hoteleve më të famshme të Brezovicës, të emërtuar me emrin e njëjtë sikurse të resortit turistik.

“Brezovica Hotel Spa”, është regjistruar si biznes i hotelierisë katër vite më parë.

Gjykata Themelore në Ferizaj, caktoi të shtunën masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tetë të dyshuarve në rastin “Brezovica 3”.

Lidhur me këtë rast, organet e rendit dhe drejtësisë kryen bastisje në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

Gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, tri armë, një karikator me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm, tre fishekë të kalibrit 6.35mm, 20 fishekë të kalibrit 7.62mm, një kompjuter, një veturë X6, pesë telefona e një orë dore. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci