Emërimi i Kreshnik Bajraktarit në pozitën e zëvendësuesit të Udhëheqësit Ekzekutiv të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), mund ta ngarkojë me përgjegjësi penale Zanita Halimin, kryesuesen e bordit të këshillit.
Ndaj saj, në muajin tetor është deponuar një kallëzim penal që e denoncon për veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Kallëzimi penal denoncon Zanita Halimin, ish-kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete të zgjedhur në krye të Bordit Drejtues të KKTK-së më 8 korrik 2021, për emërimin e dyshimtë të Kreshnik Bajraktarit në pozitën e zëvendësuesit të Ushëheqësit Ekzekutiv të këshillit.
Bordi i udhëhequr nga Halimi dyshohet se emëroi Bajraktarin, një udhëheqës të divizionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, si zëvendësues të Udhëheqësit Ekzekutiv në kundërshtim me Ligjin. Vendimi u nxor më 13 shtator, raporton Paparaci.
Pozitën të cilën e zuri Bajraktari, bazuar në kallëzimin penal të cilin Kryeprokurori i Shtetit e ka pranuar më 8 tetor, i dedikohet një tjetër zyrtari, sipas ligjit dhe rregullores së brendshme të KTKK-së.
Sipas Ligjit për Administratën Shtetërore dhe Agjencitë e Pavarura, zëvendësues i pozitës së Udhëheqësit Ekzekutiv në një agjenci të pavarur siç është KKTK-ja mund të jetë një drejtor departamenti, e jo një drejtor divizioni – pozitë të cilën mban Kreshnik Bajraktari.
Kësisoj, emërimi i Bajraktarit u krye në kundërshtim më Ligjin për Administratën Shtetërore dhe Agjencitë e Pavarura, “me dashje, dhe duke qenë të informuar me obligimet ligjore të tyre për këtë çështje”, thuhet në kallëzimin penal.
Paparaci, ka mësuar se kryetarja e Bordit të KTKK-së, Zanita Halimi ka qenë në dijeni për dyshimet e paraqitura në kallëzim penal. Ajo ka pranuar një interpretim ligjor që kundërshtonte emërimin e Kreshnik Bajraktarit si zëvendësues të Udhëheqësit Ekzekutiv të KTKK-së.
Por, burimet i kanë thënë Paparacit, se ajo dhe anëtarët e tjerë të bordit të KTKK-së kanë vendosur ndryshe nga interpretimi ligjor që kanë pranuar.
Halimi arsyeton emërimin e Bajraktarit
Zanita Halimi, mohoi të ketë kryer shkelje ligjore me rastin e emërimit të Kreshnik Bajraktarit në pozitën e zëvendësuesit të Udhëheqësit Ekzekutiv në KTKK.
Udhëheqësja e Bordit të KTKK-së, tha për mediumin online Paparaci se emërimi i Bajraktarit është duke u bazuar në organogramin e këshillit.
Në lidhje me pretendimet e kallëzimit penal që denoncojnë atë për anashkalim të pozitave të konsideruara me nivel më të lartë drejtues sesa pozita e Kreshnik Bajraktarit, Halimi ka thënë se në KTKK mungojnë drejtorët e departamenteve.
“Ne kemi vepruar në bazë të organogramit i cili është dërguar nga Udheheqësi Ekzekutiv, ku drejtor të departmentit nuk ka patur. Ju mund të hyni edhe në webfaqen e KKTK-së dhe ti shihni vetë pozitat”, ka thënë Halimi, në një përgjigje me shkrim për Paparacin.
Ajo, tha se Bordi i KTKK-së që ka filluar punën rreth katër muaj më parë, është duke u ballafaquar me probleme të tjera “të shtresuara”.
“Në Këshill të Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka probleme të shtresuara, të cilat ju ftoj t’i hulumtoni. Ne si Bord po mundohemi që të gjejme zgjidhje që KKTK-së t’i kthehet kredibiliteti”, tha Halimi.
Kryesuesja e Bordit të KTKK-së, njoftoi se këshilli është në proces të hapjes së konkursit për zgjedhjen e Udhëheqësit Ekzekutiv, pozitë e cila ka mbetur e zbrazët që prej gati një viti.
“Ne nuk kemi zgjedh Udheheqës Ekzekutiv, është në proces. Ne kemi ftuar Ambasadën Britanike në këshillim të procesit të rekrutimit dhe mbikqyrje të procesit”, u shpreh Halimi.
Zanita Halimi është ish-aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo ka kandiduar për deputete të Kuvendit të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010. 11 vjet më vonë, me shumicën e votave të formuar nga deputetët e LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Halimi u zgjodh anëtare e bordit të KKTK-së.
Çka është KKTK-ja?
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore është institucion i cili ka për qëllim rritjen e vetëdijes së komunitetit dhe interesit publik në trashëgimi kulturore brenda dhe jashtë vendit.
Trashëgimia kulturore përfshin pasurinë kulturore materiale dhe jomateriale si tërësi vlerash kulturore, mbartëse të kujtesës historike dhe identitetit që kanë rëndësi shkencore ose kulturore.
KTKK-ja është organ i themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe si i tillë i raporton atij.
Bordi i KKTK-së përbëhet nga shtatë (7) anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës se Kosovës më mandat tri (3) vjeçar, duke respektuar përbërjen etnike në Kosovë. Anëtarët e Bordit zgjedhin Kryetarin. /Paparaci
